Në vazhdën e retorikës së ashpër midis Athinës dhe Ankarasë kanë hyrë edhe deklaratat e fundit të ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kammenos.
Para gazetarëve që mbulojnë zhvillimet në Parlament, Panos Kammenos ka thënë se arrestimi i dy ushtarakëve grekë pak metra brenda kufirit turk 35 ditë më parë ishte i planifikuar nga Ankaraja për t’u përdorur me pas politikisht dhe ka theksuar se në një vend ku drejtësia funksionon me urdhër të sulltanit, paraburgimi i tyre mund të shkojë deri në 15 vjet.
I pyetur nëse Athina ka ura komunikimi për këtë çështje me Ankaranë ai është përgjigjur: “Çfarë ura komunikimi? Këtu po flasim për Erdoganin që del e shan publikisht SHBA, Netanjahun. Po flasim për një njeri që është çmendur krejtësisht. Si të komunikosh me të?”
Ministri Kammenos, ka nënvizuar gjithashtu se Greqia është serioze ne pozicionimin e saj, por nëse shkelet sovraniteti territorial i saj do të përgjigjet ashtu siç duhet.
“Nuk do të biem pre e provokimeve për të luajtur një loje tensionesh”- ka thënë ai.
Por orët e fundit pas shfaqjes dhe përshëndetjes së presidentit Erdogan në Shën Sofi me katër gishta, simbolin e “Vëllazërisë myslimane”, si dhe deklaratat e tij me rroba ushtarake duke kritikuar kreun e qeverise greke, edhe Athina ka rritur tonet.
Zyra e kryeministrit Tsipras në një deklaratë për shtyp ka theksuar se Greqia nuk është Turqi ku urdhrat tek drejtësia i jep një sulltan.
Ndërkohë opozita greke ka kritikuar edhe kryeministrin Tsipras për mënyrën se si po e trajton krizën me Ankaranë, edhe ministrin e tij të Mbrojtjes për deklaratat e tij që i konsideron aspak politike.
Diskutime rreth kësaj post