Rindizen debatet dhe përplasjet brenda mazhorancës qeverisëse. Prej kohësh gazeta e ka deklaruar se deputetët nuk janë aspak të kënaqur me punën dhe performancën e ministrave, dhe kjo ka sjellë reagime të forta. Ditën e djeshme, pas dy javësh mungesë, është mbledhur grupi parlamentar i Partisë Socialiste, mbledhje kjo që u drejtua nga kryeministri Edi Rama. Gjatë kësaj mbledhjeje, gazeta mësoi se i pari i qeverisë ka dhënë një sërë porosish për vartësit e tij, ndërsa është diskutuar edhe axhenda parlamentare, por edhe sa i takon situatës brenda partisë. Por sipas burimeve, gjatë kësaj mbledhjeje ka pasur debate të ashpra, pasi deputetët kanë shpërthyer në akuza dhe kritika të ashpra ndaj ministrave, sidomos sa i takon respektimit të marrëveshjes “Qeveri-Grup Parlamentar-PS”. Festivalin e kritikave kundrejt anëtarëve të kabinetit qeveritar e nisi deputeti socialist i Lezhës, Pjerin Ndreu. Burime pranë grupit të Partisë Socialiste i pohuan gazetës se deputeti Ndreu ka shfaqur shqetësimin e tij për mënyrën e sjelljes së ministrave në komisionet parlamentare. Sipas tij, në shumë raste ligjet kanë nevojë për ndryshime, por ministrat dalin kundër dhe i marrin personale kritikat. “Ministrat vijnë në komisione dhe harrojnë se ne jemi ekspertë të fushës. Ne kemi të drejtën të debatojmë, të kundërshtojmë, s’jemi dakord, ndërsa ata e personalizojnë dhe ju ngel hatri dhe bëjnë komente të shumta jashtë komisionit”, mësohet të jetë shprehur deputeti i PS, Pjerin Ndreu. Mirëpo, deputeti Ndreu nuk ishte i vetmi zë që kundërshtonte deri diku arrogancën e ministrave dhe raportet që këta të fundit kanë me deputetët dhe grupin socialist në tërësi. Mësohet se në të njëjtën linjë me deputetin e Lezhës janë rreshtuar edhe deputetët të tjerë socialistë, të cilët kanë kritikuar mënyrën e punës dhe axhendën e ministrave, duke u shprehur qartë se çdo ndryshim ligjor që ministrat i dërgojnë komisioneve janë të personalizuara nga ta dhe nuk janë konsultuar paraprakisht me grupin. “Fakti që ministrat sjellin ndryshime ligjore në komisionet parlamentare, pa i konsultuar më parë me deputetët, duket absurde z. kryeministër”, mësohet të jenë shprehur një grup deputetësh.
Rama paralajmëron ministrat
Shpërthimi i debatit dje në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste ka zgjuar edhe interesin e vetë kryeministrit Edi Rama, i cili ka kërkuar nga vartësit e tij një reflektim të thellë. Madje, gazeta mësoi se i pari i qeverisë jovetëm që nuk ka qëndruar indiferent, por i ka konsideruar si legjitime dhe i ka mbështetur tërësisht kërkesat të karakterit kritik të shfaqura nga deputetët socialistë në adresë të anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Gazeta mësoi se fillimisht shefi i qeverisë i ka dhënë të drejtë Ndreut për shqetësimin e tij. “Pjerini, jo ka të drejtë, por ka shumë të drejtë. Marrëdhënia me anëtarët e komisioneve duhet të jetë shumë e ngushtë. Unë po të isha anëtar i komisionit, nuk do të ngrija dorën për të votuar, për t’i bërë qejfin ministrave”, mësohet të ketë thënë Rama në mbledhjen e grupit të PS. Mirëpo, nuk ndalet me kaq, pasi kryeministri Edi Rama u ka dhënë edhe një shuplakë ministrave të vet, duke i paralajmëruar se pasi të kalojë kjo situatë do të rishikojë pozicionin e të gjithëve. Paralajmërim ky që lë të nënkuptohet se në fillim të vitit tjetër mund të ketë ndryshime në qeveri. Madje, për t’u treguar se ministrat e kabinetit qeveritar “Rama 2” nuk janë në lartësinë e duhur, i pari i qeverisë ka ironizuar edhe kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi. “Sapo të mbarojmë këto punë, do të rishikohet pozicionin i cilido. Jemi në punë, kështu që nuk shkohet në komisione parlamentare si Mona në dasmë”, mësohet të jetë shprehur kryeministri Edi Rama.
Diskutime rreth kësaj post