Kryetari i LZHK Dashamir Shehi i ka kërkuar kryetarit të PD të nxitojë në mbylljen e marrëveshjeve me aleatët. Duke argumentuar këtë çështje gjatë një interviste televizive Shehi tha se, në vend që të merren me debate të kota dhe thashetheme Lulzim Basha dhe partitë e tjera në opozitë duhet të formojnë sa më parë grupin e saj.
Sakaq, Shehi ka dhënë një paralajmërim të fortë për liderët e opozitës nëse koalicioni humbet në 25 prill. Sipas tij, ata që janë liderë partish sot pas 25 prillit nuk mund të jenë më nëse humbasin.
“Opozita ka nevojë njëherë që të mbyllë këto thashethemet parazgjedhore shpejt e shpejt, a ka mundësi brenda gjysmës së shkurtit që të ngelen 60-70 ditë puro për fushatë. Kjo është e para të mbyllë pjesën e administratës zgjedhore. E dyta pastaj është që brenda një programi të madh që ka bërë Partia Demokratike të identifikojmë 5-6 pika që janë kryesore e mbi të cilat do të shkojmë t’ia përsërisim elektoratit shqiptar, këto që janë gjërat që mbeten. Edhe disa nga këta kolegët opozitarë që mendojnë se mund të rrinë gjithmonë në opozitë si shefa është ide e gabuar kjo. Ditën që opozita nuk ka një fitore dhe një fitore të madhe këtë radhë e nesërmja do të jetë shumë e vështirë”, tha ai për “Vizion Plus”.
Sipas Shehit, 25 prilli është momenti më i mirë që koalicioni opozitar të kthehet në pushtet. Prandaj sipas tij, puna më e mirë sot është që të bëhen bashkë për të rrëzuar qeverinë aktuale sepse asgjë tjetër nuk i justifikon më dhe asgjë tjetër nuk do ketë më kuptimit pas 25 prillit.
“Ky është i vetmi, nuk ka më opozitë. Pas kësaj dite për Shqipërinë fillon putinizmi, vjen Erdogani, nuk ka më. E dyta dhe kolegët opozitarë duhet ta kuptojnë, në qoftë se nuk bëhen gati këtë vit të rezistojnë kundër rikthimit të diktaturës nesër do të jetë shumë vonë”, u shpreh Shehi.
Deri më tani Lulzim Basha ka mbyllur marrëveshjen me kreun e PAA Agron Duka, por ende bisedimet vazhdojnë me të gjithë aleatët e tjerë, veçanërisht me Fatmir Mediun e Shpëtim Idrizin të cilët për shkak të peshës elektorale të partive që drejtojnë kërkojnë më shumë se një vend të sigurt në listën e kandidatëve për deputetë.
Diskutime rreth kësaj post