Kryeministri Edi Rama prezantoi sot avionin tjetër të kompanisë “Air Albania” duke e njoftuar si një sukses të madh, ndërkohë që sipas parashikimeve fillestare, ai duhej të kishte hyrë në punë që një vit më parë.
Deri më tani, “Air Albania” ka operuar, nëse mund të quhet e tillë, me vetëm një avion, të famshmin Airbus A319 që fillimisht kryeministri e përdori si charter personal për të shëtitur në Stamboll mbështetësit e tij.
Avioni i quajtur “Lasgushi” kishte ndërruar pesë “lëkurë” duke u lyer disa herë para se të vihej në përdorimin e Air Albania,s hkruan Albeu.com.
Ndërkohë, avioni i prezantuar rishtazi nga Rama është një Boeing 737-800, një seri e re kjo e gjigantëve amerikanë.
Siç zbulon Albeu.com, “Migjeni” është pak më shumë se tre vjeç dhe deri më datë 23 shtator ka kryer fluturime për llogari të “Turkish Airlines” duke bërë linjat e brendshme dhe të jashtme.
Kështu, referuar të dhënave të pasqyruara në “FlightRadar”, avioni me kod TC-JZG ka bërë tre fluturime më datë 23 shtator duke u nisur fillimisht nga Stambolli në Izmir dhe më pas ka bërë kthimin për në Stamboll. Më vonë, avioni është nisur për në Portugali. Më datë 23 shtator ai është ndalur në Stamboll ku edhe ka filluar lyerja dhe vendosja e logos së “Air Albania”.
“Migjeni” transporton rreth 180 pasagjerë me “economy class” dhe rreth 160 pasagjerë nëse do të shiten edhe bileta për “business class”.
Shpesh “Boeing 737-800” seria të cilës i përket “Migjeni” ngatërrohet me avionin problematik Boeing 737 8Max përgjegjës për vrasjen më tepër se 350 personave, por nuk është i njëjti. /albeu
Diskutime rreth kësaj post