Pasi dy qeveritë, ajo shqiptare dhe ajo greke vendosën ta dërgojnë çështjen e ndarjes së kufirit detar Shqipëri-Greqi në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, Artur Meçollari, ish-zëvendëskomandanti i Forcave Detare u shpreh se ky vendim lidhet drejtpërdrejt me delimitimin e hapësirave detare midis dy shteteve.
Gjatë një interviste, ai tha se Greqia po hyn në negociata për një marrëveshje më të mirë për Shqipërinë se ajo që u arrit në vitin 2009 nga qeveria e atëhershme që drejtohej nga ish-kryeministri Sali Berisha.
“Nga deklaratat e dy ministrave të jashtëm në Tiranë duket se palët nuk do shkojnë për këshillim në Gjykatën e së Drejtës Ndërkombëtare (GJDN), por për një vendim detyrues dhe të zbatueshëm nga palët lidhur me delimitimin e hapësirave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë. Deri tani ka pasur negociata të papërfunduara, ku palët kanë shprehur pozicionet, por nuk kanë negociuar për vijën delimituese. Qeveria aktuale greke është po ajo që firmosi marrëveshjen e 2009. Periodikisht kjo qeveri është shprehur se marrëveshja e vitit 2009 ka qenë shumë e mirë. Kjo më krijon idenë se qeveria greke hyn në negociata për një marrëveshje pak më të mirë për Shqipërinë se e 2009, pasi ajo mund të vijonte negociatat e filluara nga qeveria e mëparshme”, – tha Meçollari për “Abc News”.
Ish-zëvendëskomandanti i Forcave Detare u shpreh se thembra e Akilit nuk është shkëmbi Barketa, por vija e drejtë bazë e Shqipërisë për pjesën e detit Jon, si dhe delimitimi i shelfit kontinental.
“Nuk ka asnjë dokument të shtetit shqiptar që të provojë se Barketa i përket Shqipërisë, ose nuk kemi mundur të gjejmë deri tani. VKM dhjetor 1946 për kufirin detar në Kanalin e Korfuzit e lë jashtë detit territorial të Shqipërisë. Protokolli i çminimit, viti 1958, po ashtu. Draft marrëveshja e 2009 e lë jashtë. Nga pikëpamja gjeologjike, sipas pretendimeve greke, ai është zgjatim i ishullit të Korfuzit, pasi thellësia maksimale arrihet midis Barketës dhe bregdetit shqiptar. Gjithsesi ai nuk përmendet në ndonjë traktat. Shkëmbi Barketa nuk mund të trajtohet si pikë bazë me fuqi të plotë për delimitimin e detit territorial, ashtu siç shprehet edhe Gjykata Kushtetuese. Mendoj se nuk është rast i vështirë, për shkak të rasteve të mëparshëm, të ngjashëm, të trajtuar nga gjykatat ndërkombëtare”, – tha Meçollari.
Diskutime rreth kësaj post