Analisti i njohur Janusz Bugajski, ka paralajmëruar zhvillime të bujshme në Ballkanin Perëndimor. Bugajski konsideron se presidenti rus, Vladimir Putin, po ndjek një strategji globale sikurse në epokën sovjetike, nëpërmjet së cilës synon të përçajë, dobësojë dhe mposht aleancën perëndimore, por për dallim nga periudha e Luftës së Ftoftë, regjimi rus nuk promovon pushtimin e Kubës apo Vietnamit, por inkurajon konflikte në Ballkanin Perëndimor.
“Përpjekja e nxituar e Rusisë për të ndezur konfliktet rajonale tregon frikën nga humbja e luftës në Ukrainë. Moska po përpiqet të fshehë humbjet e luftës: zyrtarët amerikanë vlerësojnë se pothuajse gjysma e forcave konvencionale të Rusisë janë vrarë ose gjymtuar dhe sasi të mëdha të pajisjeve ushtarake janë shkatërruar”, shkruan Bugajski.
Ai vlerëson se Rusia përpiqet të provokojë një konflikt të armatosur në Ballkanin Perëndimor, duke u përpjekur ta shtyjë Serbinë drejt një konflikti ushtarak në Kosovë, derisa shton se për shkak të paralajmërimeve të NATO-s, regjimi rus tani mund të ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta ose të punojë përmes aktorëve alternativë radikalë për të nisur një luftë ballkanike.
“Koha është që Uashingtoni t’i përgjigjet strategjisë globale të Moskës, jo vetëm duke siguruar që Ukraina të fitojë luftën duke dëbuar të gjithë pushtuesit rusë, por gjithashtu duke demonstruar se kufijtë e Rusisë nuk janë të sigurt dhe se zotërimet territoriale nuk janë të përhershme”, paralajmëron Bugajski, i cili shton se tensionet në rritje i shërbejnë interesave të Moskës.
Diskutime rreth kësaj post