Vendimi i presidentit Ilir Meta për të zbritur në shesh kundër qeverisë ka shtuar përplasjet mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryedemokratit Lulzim Basha. Suksesi i tubimit të thirrur nga kreu i shtetit më 2 mars do të varet nga Partia Demokratike, pasi dihet që vetëm me mbështetësit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, presidenti Meta nuk e mbush dot bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Për këtë arsye Lulzim Basha është vënë në qendër të presioneve, në mënyrë që ai t’i bashkohet kauzës së Metës kundër qeverisë. Gazeta ka mësuar se vetë zoti Meta dhe njerëz pranë tij në LSI po ushtrojnë presion ndaj liderit demokrat, duke i kërkuar që të mobilizojë strukturat e PD që t’i bashkohen protestës së 2 marsit. Mësohet se Meta këtë gjë ia ka kërkuar Bashës edhe personalisht gjatë takimit që zhvilloi në Presidencë paraditen e 18 shkurtit. Por që ka rezultuar pa sukses, pasi burime nga kjo mbledhje theksuan se Basha nuk i ka dhënë garanci dhe nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentit.
Berisha nis lëvizjet për t’i dorëzuar partinë Metës
Kështu që, i ndodhur përpara kësaj situate, mësohet se kreu i shtetit ka futur në lojë ish-kryeministrin Sali Berisha për t’i mbushur mendjen kryedemokratit Basha që t’i bashkohet dhe të mbështesë tubimin e thirrur nga ai në 2 mars. Ish-kryeministri Berisha është ndër të parët ish-deputetë të Partisë Demokratike që është rreshtuar hapur pro Metës dhe ka bërë thirrje që qytetarët të dalin në shesh, pasi sipas tij, revolta është e vetmja rrugë për të rrëzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Dhe duket se këtë gjë ia ka kërkuar edhe Bashës. Burime të sigurta nga selia blu i pohuan gazetës se ish-kryeministri ka nisur presionet ndaj shefit të opozitës, duke i kërkuar që të mbështesë Metën, ndërsa mësohet se e ka kërcënuar se do t’i marrë partinë dhe do t’ia dorëzojë atë kreut të shtetit. Kështu që, nisur nga kjo, Berisha ka nisur tentativat për të “eliminuar” kreun e PD dhe për t’ia dorëzuar partinë Metës. Megjithatë, të njëjtat burime theksuan se ish-lideri demokrat i ka lënë një afat Bashës, ndërsa e ka garantuar se do ta ndihmojë kur të vinë zgjedhjet në parti, në rast se ai pranon që të bashkëpunojë me Metën, me qëllim rrëzimin e qeverisë. Madje, sipas informacioneve, mësohet se Berisha ia ka bërë të qartë Bashës se ka garanci edhe nga LSI se sapo opozita të jetë në pushtet ai do të jetë kryeministri i ardhshëm, ndërkohë që Meta nuk do të jetë kërcënim, pasi synon një mandat të dytë në krye të Presidencës. Nga ana tjetër, mësohet se mbështetës të Berishës e kanë vendosur që do të dalin në shesh krah Metës. Por ndryshe nga LSI, baza e PD ende nuk po organizohet dhe nuk ka asnjë urdhër nga Basha.
Kreu i PD ja u lë në dorë strukturave
Por pavarësisht rritjes së presioneve, gazeta ka mësuar se kryedemokrati Lulzim Basha është midis dy zjarreve, ndërkohë që sa i takon nëse do t’i bashkohet tubimit të 2 marsit të thirrur nga presidenti Ilir Meta, do të jenë strukturat ato që do të vendosin. Dy ditë më parë në përfundim të konferencës për “Sfidat dhe Zgjidhjet në Shëndetësi”, Basha paralajmëroi se dje do të fliste për këtë çështje. Mirëpo, ai dje vijoi rrugëtimin duke takuar qytetarët në kuadër të nismës “Po të dëgjoj”, ndërsa nuk u shpreh se çfarë qëndrimi do mbajë në lidhje me tubimin e Metës. Ndërkohë, gazeta ka mësuar se Basha pritet që të takohet javën tjetër me strukturat e PD për të vendosur nëse do ta mbështesë apo jo Metën. Sidoqoftë, mësohet se Basha ndodhet midis dy zjarreve, pasi nëse do të rreshtohet krah Metës, ai do të kthehet në pikën zero dhe do të thellojë ndasitë me ndërkombëtarët, me të cilët i ka rregulluar marrëdhëniet. Ndërsa nga ana tjetër, kryedemokrati është në vështirësi edhe sa i takon raporteve me mazhorancën. Ulja në tryezën e dialogut ka dhënë sinjale se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Por nëse Basha rreshtohet krah Metës, shanset që socialistët të lëshojnë pe janë zero. Kështu që, Basha është duke u menduar mirë, përpara se të vendosë.
Diskutime rreth kësaj post