Deputeti Andi Përmeti, pjesë e Bindjes Demokratike, thotë se është gati që të bashkëpunojë me PD-në dhe Lulzim Bashën, nëse lideri demokrat i bashkohet nismës për ndryshimin e sistemit zgjedhor, pra hapjen e listave.
“Duhet të ndajmë çfarë nënkupton kjo ftesë (nga PD), që dikush të vijë kryeministër duke hequr një tjetër, apo një tentativë për të ndryshuar sistemin politik shqiptar duke e bërë më të mirë. Unë jam gati, këtë e them edhe si përfaqësues i Bindjes, të bashkëpunoj që sot me Bashën me kushtin që të kërkojë ndryshimin e sistemit dhe listat e hapura. Nëse Basha i bashkohet lëvizjes së të gjithë faktorëve politikë, që kërkojnë ndryshimin e sistemit. Kjo është bashkimi i forcave për të ndryshuar sistemin dhe Shqipërinë. Nëse e ndryshojmë të vetëm, Basha pastaj mund të dojë të bashkohet me ne. Një koalicion që në themel ka një vlerë. Kush i bashkohet kësaj beteje është në një front të madh opozitar dhe kundër qeverisë” tha ai.
Për Përmetin nëse hapen listat Edi Rama, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi nuk e kanë vendin e sigurt në parlament.
“Unë nuk kam qenë në takimin e parë me Ramën, diskutimi nuk është cfarë nuk shkoi. Duhen 10 deputetë, PS-ja ka 74, Reme, Lala, Elena Xhina dhe të tjerë kanë firmosur për lista të hapura. Pra mungojnë 10 deputetë për ta kaluar. Zoti Shameti nga PS-ja ka dalë dhe zyrtarisht ka kërkuar hapjen e listave. Edhe zoti Hyseni ka deklaruar se është pro hapjes së listave. Nevoja për të ndryshuar sistemin është imediat. Ndryshimi i sistemit i kalon demokracinë qytetarit. Duke hapur listat, ne po kërkojmë të garojmë dhe askush nuk e ka vendin e sigurt, as Rama, Basha apo Kryemadhi. Pasi do të kërkojmë votën qytetarit me emrin tonë. Me një garë që nuk ka të fituar që në fillim. Unë jam deputet i pavarur, përfaqësoj Bindjen Demokratike”., tha ai.
Diskutime rreth kësaj post