Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka pranuar dje hapur se protestat nuk janë në axhendën e tij. Edhe pse ish-kryeministri Sali Berisha, çdo ditë kërkon revolta popullore, Basha duket se nuk do të rikthehet më tek protestat.
Në një intervistë për mediat, Basha i pyetur nëse do të rikthehen protestat apo jo, ai ka theksuar se zgjedhjet janë ato çka shihen si prioritet nga ana e PD. Basha tha se fokusi i opozitës është të afrojnë ditën kur shqiptarët të mund të zgjedhin me votën e tyre të lirë Parlamentin që i përfaqëson dhe qeverinë që meritojnë.
“Protesta është një mjet i pazëvendësueshëm i përballjes me këtë regjim. E kemi përdorur dhe do të vazhdojmë ta përdorim. Por duhet të kuptojmë se regjimi largohet përmes një procesi zgjedhor, ndaj fokusi ynë është të afrojmë ditën kur shqiptarët mund të zgjedhin me votën e tyre të lirë Parlamentin që i përfaqëson, qeverinë që meritojnë”, ka deklaruar dje kreu i PD.
Kreu i PD, Lulzim Basha foli edhe për reformën në drejtësi, teksa deklaroi që nuk sheh asnjë konflikt interesi midis qëndrimeve të opozitës dhe atyre të komunitetit ndërkombëtar në raport me reformën në drejtësi.
“Padyshim që duhet që një orë e më parë t’i kemi këto organe të pavarura, të gjithë e dimë pse janë vonuar, pse për dy vite me radhë KED nuk funksionoi. Janë vonuar me një qëllim, sepse pushteti i trembet drejtësisë së pavarur, i trembet një SPAK-u të pavarur, pushteti i trembet një Gjykate Kushtetuese të pavarur”, ka deklaruar dje Basha.
Reforma në drejtësi
Mes te tjerash kreu i PD tha se organet e drejtësisë duhet të ngrihen sa më shpejt.
“Në gjithë këtë thashethemnajë dhe vorbull argumentesh dhe kundër argumentesh, qytetarët duhet të mbajnë mend tre gjëra: E para, është në interesin tonë si qytetarë të Shqipërisë dhe në interesin e opozitës politike të vendit, të kemi sa më parë organe të drejtësisë të konstituara sipas Kushtetutës”, shtoi ai.
Kryeopozitari u shpreh dje për mediat se nuk duhet të krijohet një krizë, e cila më pas zgjidhet me mjete antikushtetuese.
“Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë që mbron interesat e qytetarëve, që mbrojnë Kushtetutën kundër abuzimit nga pushteti. Prokurori që nuk mbron, por ndëshkon, çon para drejtësisë politikanët e korruptuar dhe figurat e krimit të organizuar. Së dyti, kjo nuk mund të ndodhë duke shkelur Kushtetutën. Nuk mund të krijohet para çdo institucioni të drejtësisë një krizë e cila pastaj zgjidhet me mjete antikushtetuese”, tha ai.
Sipas Bashës, organet e drejtësisë që ndërtohen me mjete antikushtetuese nuk do t’i shërbejnë qytetarëve. Ai tha se organe të tilla nuk do t’i shërbejë as ligjit dhe as Kushtetutës.
“Një organ i drejtësisë që vjen në jetë me mjete antikushtetuese nuk do t’i shërbejë qytetarëve, nuk do t’i shërbejë ligjit, por i shërben atyre që duan ta kapin ose ta bllokojnë reformën në drejtësi. Së treti, jemi të vendosur që të mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat zbatimin e reformës në drejtësi ashtu siç e kemi aprovuar në Kushtetutë dhe jo ashtu siç dëshiron pushteti që i trembet drejtësisë së pavarur”, ka deklaruar ndër të tjera Basha.
Zgjedhje të parakohshme
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka theksuar dje se zgjidhja e krizës politike kalon vetëm nga zgjedhjet e parakohshme. Basha tha se është pikërisht kjo arsyeja se pse selia blu dhe opozita e bashkuar janë investuar te reforma zgjedhore. Por, sipas Bashës, kjo kërkon një sjellje realiste dhe jo hipokrite nga ana e mazhorancës.
“PD kërkon zgjedhje të parakohshme si zgjidhje nga kriza. Sot falë aksionit tonë opozitar, falë aksionit tonë qytetar, këtë e kërkon dhe Bundestagu, e kërkojnë dhe partnerët tanë strategjikë euroatlantikë. Vetëm pesë ditë më parë, bashkëraporterët e KE e thanë qartë që zgjidhja e kësaj krize politike kalon nga zgjedhjet e parakohshme pas reformës zgjedhore”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post