Kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu duket se i ka sosur durimi me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ky i fundit nuk e ka zbuluar ende strategjinë finale se si opozita e bashkuar do të shkojë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ndërkohë që deri më tani ka arritur marrëveshje verbale vetëm me disa nga partitë aleate të PD, krerëve të së cilëve si Agron Duka, Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka, iu ka garantuar ndonjë vend të sigurtë për të dalë deputet nga listat e demokratëve.
Por në një kohë që me tre liderët e sipërpërmendur ka arritur një marrëveshje, Basha për momentin ka lënë jashtë tryezës së diskutimeve aleatin tradicional të tij, Fatmir Mediu, pasi i ka “mbyllur derën” dhe nuk lëshon pe sa i takon kërkesës së tij për të marrë më shumë se një kandidat të sigurtë në listën fituese të Partisë Demokratike. I ndodhur përpara kësaj situate zoti Mediu ka shtuar presionet ndaj liderit demokrat, duke i kërkuar që të kthejë vëmendjen ndaj PR.
Duhet bashkëpunim sipas peshës specifike
Gjatë një prononcimi gazetën “SOT”, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu zbuloi më shumë detaje nga ajo që po ndodh mes PD dhe PR, ndërsa theksoi se partia që ai drejton nuk kërkon lëmoshë, por sipas tij, duhet bashkëpunim sipas peshës specifike në çdo qark, në mënyrë që në listat për deputetë të jenë emrat më të mirë dhe gjithëpërfshirës.
“Partia Republikane nuk ka kërkuar asnjë gjë nga Partia Demokratike. PR ka kërkuar bashkëpunim me PD në nivel kombëtar dhe rajonal sipas peshës specifike që ka Partia Republikane. Ky është kriter i padiskutueshëm i marrëdhënieve serioze dhe korrekte ndërmjet palëve. Po ashtu, meqenëse jemi para një marrëveshje me shumë subjekte politike, duhet të funksionojë parimi, domethënë vlerësimi i partive duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Pra të mos ketë diferenca. Por ajo që është shumë e rëndësishme që PR ofron, është se në vendet që i takojnë Partisë Republikane, të diskutojë me Partinë Demokratike se kush janë kandidaturat më të mira që mund të garantojnë fitoren e zgjedhjeve”, deklaroi ai.
Ja çfarë nuk negociojmë
Më tej gjatë reagimit të tij për gazetën “SOT”, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu zbuloi edhe atë që siç tha ai është e panegociueshme, ndërsa shtoi se koalicioni mes PR dhe PD, nuk është për ta, por sipas tij, është për të mirën e elektoratit të djathtë, në mënyrë që të maksimizojnë votat dhe dalë fitues nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
“Po ashtu po ju them se nëse PD, bën një analizë që propozimi i PR cenon peshën dhe vlerën e Partisë Demokratike, apo të personaliteteve të PD, le ta bëjnë këtë me dije dhe ne absolutisht do të mbajmë një qëndrim tjetër, që t’i shërbejë forcimit të koalicionit të Partisë Demokratike dhe marrëdhënieve me Partinë Republikane. Marrëdhënie më të mirë se kaq unë nuk besoj se mund të ndërtojmë me PD, jo për Fatmir Mediun dhe Lulzim Bashën, por PR dhe PD, në mënyrë që dhe votat në Kukës, Dibër apo në të gjithë territorin e Shqipërisë, ku çdo votë e republikanëve të shkojë në favor të fitores së kandidatëve të opozitës dhe fitores së zgjedhjeve të 25 prillit”, u shpreh ai.
Ndërkohë dy ditë më parë Mediu kërkoi që grupi i negociatorëve në selinë e PD të vlerësojë çdo kandidat potencial të republikanëve, që votat i përkthen në fitore të opozitës në zgjedhje.
“Ne mund t’i referohemi çdo lloj rezultati elektoral, si të Partisë Demokratike dhe të Partisë Republikane apo partive të tjera, për të përcaktuar se ku është fasha elektorale e Partisë Republikane, ku është fasha elektorale e Partisë Demokratike, si është shtrirja gjeografike e votave të Partisë Republikane, dhe në të gjitha qarqet, se ku e ka vendin Partia Republikane, në renditjen e kandidatëve”, nënvizoi kreu i PR, Fatmir Mediu.
Diskutime rreth kësaj post