Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është përgjigjur ditën e djeshme flakë për flakë presidentit Ilir Meta. Ky i fundit gjatë një interviste javën e kaluar u shpreh se kreu i PD i kishte premtuar se do të futej në zgjedhjet e 13 tetorit. Meta e cilësoj këtë qëndrimi si një mos korrektësi nga ana e Bashës. Por kreu demokrat gjatë një interviste në “Opinion” e rrëzoi këtë deklaratë, duke theksuar se nuk i kishte premtuar një gjë të tillë Metës, ndërsa akuzoi mazhorancën se ndikoi drejtpërdrejt në procesin zgjedhor.
“Unë s’jam këtu për të komentuar deklaratat e presidentit, por një gjë është e qartë edhe për presidentin edhe për shqiptaret, që presidenti veproi për të shmangur konfliktin e përplasjen. Bëri shumë mirë qe veproi me çdekretimin e procesit te 30 qershorit, edhe kjo është përtej çdo diskutimi. Të gjithë e dimë që KQZ e gjithë institucionet e tjera ishin nën urdhrat e Ramës. Pretendon se opozita do hynte në një proces që s’ekzistonte për arsyen se dekreti i presidentit u injorua tërësisht e kjo është vepër penale nga KQZ? Nuk është e vërtetë që i kisha dhënë premtim presidentit për t’u futur në zgjedhje. Procesi (shtyrja e zgjedhjeve) erdhi pas një vendimi të madh që morëm ne, që kishte një dhe vetëm një qëllim largimin e kësaj qeverie, shpërbërjen e parlamentit ilegjitim e çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme”, tha Basha.
Ndërsa duke iu referuar vendimit të opozitës për të djegur mandatet parlamentare, Basha sërish i dha një goditje presidentit. Meta deklaroi javën e parë se vendimi i PD-LSI për të dalë nga Parlamenti ishte një vendim i gabuar, por Basha u shpreh se ky ishte një vendim i drejtë dhe rruga e vetme sipas tij, për të rrëzuar qeverinë.
“Nuk i bëj unë nder Ramës që të merrem me replika me presidentin. Nuk jam penduar për djegien e mandateve se po të mos ishim larguar, bota nuk do e shihte sot këtë fasadë që mbulon të vërtetën e një qeverie të falimentuar, të dështuar”, tha Basha.
Marrëdhëniet me ambasadorë
Ndër të tjera, Meta është shprehur se kryeministri dhe kryetari i opozitës jashtëparlamentare i kanë marrëdhëniet më të mira me ndërkombëtarët se me presidentin, për të cilën Basha tha se më presidentin ai ka vetëm marrëdhënie institucionale për të mirën e qytetarëve. “Unë kam marrëdhënie institucionale me presidentin e Republikës për të punuar për objektivat e shqiptarëve. Kam marrëdhënie të mira edhe me faktorin ndërkombëtar por dashurinë e kam me qytetarët shqiptarë”, tha Basha. Por ai nuk e përjashtoi si mundësi që nëse vjen në pushtet t’i japë Metës një mandat të dytë si president.
Reforma zgjedhore
Ndërsa duke folur për reformën zgjedhore, kreu demokrat u shpreh se kushti i vendosur prej tyre për qeveri transitore 100 ditë para zgjedhjeve është i pandryshueshëm. “Garancia ligjore do të ishte një qeveri tranzitore dhe kjo është një pikë e pandryshueshme e opozitës. E pandryshueshme. Pa këtë, të gjitha të tjerat janë një makiazh. Gjithë diskursi për reformën ka vetëm një vlerë, për të treguar që opozita këtë pjesë në 15 kushtet po e kryen. Pikë kryesore do ishte të çmontonte mekanzimin që u çon shqiptarëve analfabetë, kriminelë në parlament. Reforma zgjedhore mund ta zgjidhë vetëm nëse ka një qeveri, kreu i së cilës nuk është kreu i mekanizimit që shkatërroi zgjedhjet në Shqipëri. Nëse ndodh kjo kemi garanci që ato rregullat mund të përmirësohen. Me çfarë na dëgjojnë veshët lum ne, me çfarë na shohin sytë, mjerë ne. Ne do ta bëjmë detyrën tonë dhe brenda 31 majit”, tha Basha.
Diskutime rreth kësaj post