Ndërkohë që qytetarët janë në panik nga koronavirusi, pasi ky i fundit ka prekur shtetin fqinj, Itali, shteti ka shtuar masat në kufi dhe në stafet mjekësore.
Por përpos shtimit të masave të cilat janë marrë si pasojë e afërsisë gjeografike që ka Shqipëria me Italinë, mjekët dhe Ministria e Shëndetësisë deklaruan se nuk ka vend për panik, dhe po ashtu theksuan se vendi ynë për momentin është me risk të ulët për tu prekur nga koronavirusi për sa kohë nuk ka ende asnjë të prekur.
Masa e sigurisë dhe kontrollet për persona të prekur nga koronavirusi janë shtuar edhe në pikën kufitare të Qafë-Botës në Sarandë. Mjeku thekson se për personat që vijnë nga vendet e prekura plotësohet edhe një formular shtesë, ndërkohë që ekipi i kontrollit mbetet në kontakt me të duke e mbajtur në vëzhgim për disa kohë.
“Pas urdhrit të ministres jemi në Qafë-Botë prej orës 6 të mëngjesit. Ne jemi të pranishëm. Bëjmë pyetje dhe bëjmë edhe një matje të temperaturës dhe skedojmë çdo person që kalon me të dhënat, numrin e telefonit. Dje kanë kaluar 233 të huaj dhe 268 është numri i shqiptarëve. Këto ditë nuk kemi pasur shtetas që vijnë nga Italia. Për njerëzit që vijnë nga Italia dhe vendet aziatike plotësojmë një formular tjetër. Ne i mbajmë një numër kontakti dhe mbetemi gjithmonë në kontakt me këta shtetas”, ka deklaruar mjeku.
Sakaq edhe në pikën kufitare të Kakavijës janë shtuar kontrollet për udhëtarët që vijnë nga vendet e huaja. Kristina Haxhi, mjeke epidemiologe në Spitalin e Gjirokastrës, ka treguar se shërbimi është 24 orë ndërsa thekson se deri më tani nuk ka asnjë rast të dyshuar.
“Në pikën e kalimit kufitar të Gjirokastrës është vendosur shërbimi 24 orë. Deri tani nuk kemi raste të dyshuara. Masat që do të marrin janë monitorimi 24 orë i personave. Do i matet temperatura mjekësore. Deri në këtë momente nuk është vendosur akoma se ku mund të jetë karantina, por normalisht në një vend afër, jo në spital”, u shpreh mjekja.
Po ashtu masat ndaj koronavirusit janë përforcuar në pikat kufitare të qarkut Kukës, Qafë-Prush të Hasit dhe Qafë Morinë të Tropojës. Në këto pika kufitare janë vendosur stafet mjekësore dhe 2 specialistë që bëjnë vëzhgimin e udhëtarëve që vijnë nga jashtë. Mjeku Enver Ngjeci është shprehur se gjatë kësaj kohe nuk ka pasur raste të kalimit të personave me shenja të sëmundjes.
Diskutime rreth kësaj post