Dy partitë kryesore në vend janë drejt zgjidhjes përfundimtare të ngërçit politik që ka mbërthyer vendin. Negociatat e dështuara me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve pritet të zëvendësohen me një marrëveshje nga vetë palët pa asistencë nga jashtë.
Data 3 Maj shënon edhe fundin e afatit që KQZ ka vendosur për regjistrimin në zgjedhje pasi institucioni në fjalë e argumenton se pas kësaj date nuk ka kohë për teknikalitete siç janë prodhimi i fletëve të votimit, caktimi i KZAZ, numri i kutive që do të përdoren etj.
Duke iu trembur këtij afati, por edhe fatit politik, Partia Demokratike pritet të pranojë hyrjen në zgjedhje. Ky vendim në fakt është kushtëzuar edhe prej aleatëve që nuk i kanë asnjë ‘borxh’ Lulzim Bashës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e dekretuara brenda detyrimeve kushtetuese dhe nga vetë presidenti i PD, Bujar Nishani.
Megjithatë, pritet që opozita nën drejtimin e Partisë Demokratike të dalë në vendimin për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve. Pavarësisht kërkesës për kryeministër teknik gjatë këtyre 73 ditëve të protestës, PD tashmë është dorëhequr. Në deklaratën e përbashkët të opozitës shpërndarë sot, në asnjë pikë nuk përmendet kushti për një kryeministër teknik. Kujtojmë se më herët, Edi Rama i ka bërë lëshime opozitës për të marrë 4 ministri që ajo do t’i shihte si garante për zgjedhjet, Presidentin si dhe KQZ. Këto oferta u refuzuan gjatë negociatave me David McAllister dhe Knut Fleckenstein.
Por e ndodhur nën presionin e Partive Popullore Europiane dhe lëvizjeve të brendshme, Basha është drejt vajtjes në zgjedhje. Dje, ishin zëra publikë si ai i Majlinda Bregut, Jozefina Topallit dhe Eduard Selamit që i tejkaluan tonet e asaj që ndodh brenda mbledhjeve me dyer te mbyllura.
Kësisoj, presidenti Bujar Nishani ka ftuar sot një tryezë dialogu që me gjasë do të jetë shumë e shpejtë në kohë. E vetmja zgjidhje e situatës është ajo e tërheqjes së dy “kokëmushkave” nga deklaratat e tyre. Pra, Rama të heqë dorë nga “18 Qershori” dhe Basha nga “Kryeministri Teknik”. Tashmë pritet që Lulzim Basha të fusë aleancën opozitare në zgjedhje nën dy pretekste.
Së pari duke u shprehur se dëgjoi vendimin e shumicës brenda partisë dhe se nuk mund ta linte vendin të rrëshqasë në një sistem monopartiak pas 25 vitesh. Dhe së dyti, duke e cilësuar ndryshimin e datës së zgjedhjeve si një arritje ndaj deklaratave këmbëngulëse të Ramës për 18 Qershorin.
Nga ana tjetër, kryeministri i vendi do të pranojë ndryshimin e datës së zgjedhjeve me argumentimin se për t’i bërë nder opozitës po pranohet një zhvendosje e parëndësishme kohore. Për të plotësuar këto afate, pritet që në dialogun në tryezë apo dhe në distancë, të negociohet e diela e 9 ose e 16 Korrikut si data të mundshme të zgjedhjeve. / Lajme.al
Diskutime rreth kësaj post