Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka komentuar mos-hapjen e negociatave më 18 tetor nga BE-ja. Mediu është shprehur se mos-hapja e negociatave do të ketë një efekt negativ në rajonin e Ballkanit.
“Kjo është një situatë problematike që kërkon një gjykim dhe këndvështrim kombëtar. Kërkohet një vizion i ri për qasjen ndaj këtij procesi”, tha ai.
“Mos-hapja e negociatave është një lajmet më të këqija që ka historia e Shqipërisë në këto 30 vite të demokracisë, duke e analizuar qoftë në kontekstin e zhvillimeve brenda në Shqipëri të interesave tona kombëtare, por edhe të pritshme europiane.
Duken qartësisht përgjegjësitë konkrete të politikës dhe në mënyrë të veçantë të qeverisë për mosarritjen e hapjes së negociatave. Qeveria shqiptare është shkaktarja e parë për mos-hapjen e negociatave. Kjo ka për të ndikuar gjerësisht për interesat tona, sidomos në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Në deklaratën e fundit, Vuçiç neglizhon tërësisht rolin e BE-së në këtë proces me atë që i ndodhi Maqedonisë. Mund të ketë pasojë edhe me qasjen dhe sjelljen në Maqedoni në raport me shqiptarët.
Kjo është një situatë problematike që kërkon një gjykim dhe këndvështrim kombëtar. Kërkohet një vizion i ri për qasjen ndaj këtij procesi. Do të ketë një efekt shumë problematik në rajonin e Ballkanit, për shqiptarët në mënyrë të veçantë. Prandaj kërkohet një përgjegjësi shumë e madhe.”– deklaroi Mediu për A2 CNN.
Diskutime rreth kësaj post