Gjykata Kushtetuese ka përfunduar dje diskutimet për zgjedhjet lokale të 30 qershorit të vitit 2019 dhe është tërhequr për vendim, ndërkohë që kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës ka bërë thirrje për përsëritjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Teksa ishte duke folur për mediat pas përfundimit të seancës në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me zgjedhjet lokale të 30 qershorit, zonja Ademi theksoi se zgjedhjet vendore të 2019 duhet të shpallen të pavlefshme.
“Zgjedhjet lokale të 30 qershorit duhet të shpallen të pavlefshme. Duhet të kemi zgjedhje të reja lokale”, deklaroi ajo.
Ndërkohë zonja Ademi u pyet nga gazetarët nëse do të jetë ajo sërish kandidate për kryetare bashkie, nëse Gjykata Kushtetuese vendos ripërsëritjen e zgjedhjeve.
“Duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë. Kërkesa jonë mbetet kjo. Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë dhe përgjithësinë të kenë zgjedhje të rregullta zgjedhore, këtë shpresojmë të konkludojë Gjykata Kushtetuese”, nënvizoi Ademi.
Nga ana tjetër avokati i Shoqatës së Bashkive, Jordan Daci i cilësoi zgjedhjet lokale të 30 qershorit si nul.
“Bindja Demokratike hyri në zgjedhje fiktivisht, u regjistrua në KQZ pa u regjistruar në gjykatë si subjekt politik. Gjykata Kushtetuese ta injorojë këtë opinion të Komisionit të Venecias”, deklaroi Daci.
Por nëse Gjykata Kushtetuese rrëzon zgjedhjet lokale të 2019-s, presidenti Ilir Meta duhet të dekretojë një tjetër datë për mbajtjen e zgjedhjeve të tjera për zgjedhjen e kryebashkiakëve të vendit. Ndërkohë nëse ndodh e kundërta, në shtatë bashki pritet të dekretohet data nga Meta për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore. Bëhet fjalë për bashkitë e Shkodrës, Durrësit, Vorës, Rrogozhinës, Dibrës, Lushnjes dhe Mallakastrës, qytetarët e të cilave do të ftohen në votime për shkak se ato drejtohen nga kryetarë të emëruar dhe jo të zgjedhur.
Diskutime rreth kësaj post