Presidenti Ilir Meta gjatë deklaratës së tij për mediat u pyet sot nga gazetarët nëse kryeministri Rama po e menaxhon apo jo siç duhet situatën e krijuar nga koronavirusi dhe nëse po e përdor këtë situatë për pushtet.
Kreu i Shtetit tha se nuk besoj se është koha për të përdorur apo keqpërdorur situatën për pushtet, duke shtuar se veprim i tillë do të ishte me kosto të mëdha, për këdo që e përdor.
“Shqetësimi im është shëndeti i çdo qytetari dhe i ekonomisë sonë kombëtare. Nuk besoj se është koha për të përdorur apo keqpërdorur cilido për qëllime pushteti një krizë të tillë, pasi do të ishte tepër e papërgjegjshme dhe me kosto të madhe për cilindo që do ta përdorte”, – tha Meta.
Më tej, Presidenti u pyet nga gazetarët edhe për amnistinë fiskale, duke mos pranuar të komentojë, pasi tha se për momentin ka rëndësi vetëm shëndeti i qytetarëve dhe përballimi i situatës.
“Amnistia fiskale nuk mendoj se është momenti për të dhënë një vlerësim, pasi kemi të bëjmë me një iniciativë publike, por pa një argumentim të qartë. Ndoshta në një kohë të dytë do të më duhet të mbajë një qëndrim të qartë dhe shterues. Aktualisht shqetësimi i të gjithëve është përmirësimi i situatës, prej së cilës do të varet edhe rihapja e ekonomisë. Duhet të jemi sa më të qetë për zhbllokimin e kësaj situate, pasi problemet sa vijnë e bëhen më të mprehta”, – deklaroi Presidenti.
Diskutime rreth kësaj post