**Rama nga Nju Jorku: Projekti i Zvërnecit dhe Sazanit, 4 miliardë euro investim – po studiohet ndikimi në mjedis**
Kryeministri Edi Rama ka folur për projektet e planifikuara në **Zvërnec dhe Sazan**, gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në Staten Island të Nju Jorkut.
Rama deklaroi se projekti i shumëdiskutuar mund të sjellë rreth **4 miliardë euro investime në Shqipëri**, duke e cilësuar atë si një projekt me rëndësi për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së vendit.
Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se, krahas potencialit ekonomik, projekti është edhe i ndjeshëm për sa i përket mjedisit. Sipas Ramës, aktualisht po punohet për **studimin e ndikimit në mjedis dhe identifikimin e risqeve reale** që mund të shoqërojnë zhvillimin e tij.
Projektet në Zvërnec dhe Sazan kanë qenë në qendër të debatit publik, veçanërisht për shkak të ndikimit të mundshëm në zonat natyrore. Qeveria ka deklaruar se synon zhvillimin e turizmit duke ruajtur mjedisin, ndërsa kundërshtarët e projekteve kanë shprehur shqetësime për pasojat e mundshme mjedisore.
Rama ka deklaruar gjithashtu se Shqipëria synon të kalojë nga rreth **12 milionë vizitorë në 20 milionë**, me fokus të shtuar te turizmi me të ardhura të larta.
Ndërkohë, sa i përket Sazanit, qeveria ka theksuar se ishulli mbetet **pronë e shtetit shqiptar** dhe se zhvillimi i tij është pjesë e një procesi që ende nuk është finalizuar.





Diskutime rreth kësaj post