Kryeministri Edi Rama ka reaguar dje lidhur me deklaratën e një mjeku në Spitalin e Traumës, i cili tha se ryshfeti duhet të dorëzohet te recepsioni. Teksa ishte i pranishëm në ceremoninë e fillimit të punimeve në spitalin “Mbretëresha Geraldinë”, Rama tha se kjo vërteton edhe domosdoshmërinë e lëvizjes së re të qeverisë kundër korrupsionit.
“Një mjek që kërkonte legalizimin e ryshfetit. Është vërtet mbresëlënës për nga niveli i kurajos dhe për nga paturpësia e propozimit. Patjetër që, niveli i shpërblimit të mjekëve duhet rritur dhe ne do ta rrisim ashtu sikundër e kemi rritur. Është një zotim që ne e kemi bërë, që pagat për bluzat e bardha të rriten 40%. Të thuhet që ka ardhur koha të legalizojmë ryshfetin është vërtet një mesazh kuptimplotë për domosdoshmërinë e lëvizjes antikorrupsion në të gjithë sistemin tonë shtetëror që ka filluar të ndihet edhe më thellë”, – tha Rama.
Kryeministri u shpreh, se synon që brenda kësaj dekade që sapo ka nisur me investime dhe reformimin e sistemin shëndetësor. Ai theksoi, se do ta kthejë shëndetësinë në Shqipëri në pikë referimi për rajonin.
“Shteti nuk mund të jetë një rifuxho për mëkatarë në kurriz të qytetarëve që mbajnë në këmbë shtetin me kontributet e tyre. Unë besoj që ne jo vetëm që jemi në rrugën e duhur, por kemi mundësinë të synojmë që brenda kësaj dekade shëndetësia në Shqipëri të bëhet në një pikë referimi për të gjithë rajonin. Kjo pasi kemi mjekë të jashtëzakonshëm dhe një trup infermierësh që meritojnë respekt”, – tha Rama.
Ndër të tjera, kryeministri Rama, shtoi se duhet të hyjmë në një pikë të re bashkëpunimi për të krijuar partneritet shtetëror dhe privat për shëndetësinë. Ai theksoi se ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim. “Kemi një lidership shumë të mirë në shëndetësi, por kemi edhe pika që duhet të punojmë më shumë. Nga ana tjetër duhet të hyjmë në një sinergji të re ku të bashkëpunojmë me partnerë që janë të gatshëm të na mbështesin dhe të hyjnë në partneritete, partner shtetëror dhe partner privat që të maksimizojmë sistemin shëndetësor”, – deklaroi Rama.
Diskutime rreth kësaj post