Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me biznese dhe punonjës të përpunimit të drurit në Shkodër, ku ka dëgjuar nga afër problematikat e tyre.
Ata iu ankuan Bashës për taksat e larta, me kreun e PD-së i cili i siguroi që plani i PD-së parashikon uljen e taksave dhe çmimit të energjisë dhe naftës.
Basha nuk ka nguruar të përdorë një shprehje të Ramës “Nuk keni parë gjë akoma”, teksa fliste për mundësinë që kryeministri Rama të fitojë dhe një mandat tjetër. Sipas Bashës ardhja e punëtorëve nga Bangladeshi është e keqja më e vogël, krahasuar me të tjera të këqija që na presin.
“Nga njëra anë, plani ynë fiskal, i cili do të ulë taksat, nuk do të jenë më të larta as taksat, as çmimet e energjisë dhe të naftës se Mali i Zi, apo Maqedonia, apo Kosova dhe së dyti; qasja jonë, qasja jonë ndaj sipërmarrjes. Ju jeni shpresa për ta nxjerrë ekonominë nga kriza, jo lopë për t’u mjelur për xhepat e korruptuar të zyrtarëve. Është e turpshme që në vend që të marrë përgjegjësitë për 8 vjet dështime, ai të cilit i ka ardhur tani momenti për ta larguar me votë, bredh nëpër Shqipëri për të treguar broçkulla nga momenti deri në darkë dhe duke thënë që ajo që na pret po e votuam për mandatin e tretë është që do të na sjellë punonjës nga Bangladeshi. Po ju them ashtu siç e ka thënë vetë që me të vërtetë edhe 4 vjet të tjera me këtë njeri të papërgjegjshëm nuk kemi parë asgjë akoma. Jo punëtorë nga Bangladeshi, por do ta bëjë Shqipërinë më keq se Bangladeshi. Dhe këtë ju e dini fare mirë. Në çdo aspekt Shqipëria do të fundoset, do të shkojë keq e më keq, në ekonomi, në arsim, në shëndetësi. Jo punëtorë nga Bangladeshi, por Shqipërinë më keq se Bangladeshi, po ti hapim edhe një herë derën të keqes, se po troket, thotë dua dhe 4 vjet. Mbylljani derën në fytyrë, ti themi boll më”, deklaroi Basha.
Diskutime rreth kësaj post