Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e cilësoi marrëveshjen e Washingtonit si historike, duke thënë se bazohet në doktrinën e Donald Trump, sipas së cilës, ekonomia mund t’i përmirësojë raportet mes shteteve.
Duke folur për pikën 2 të marrëveshjes, e cila parasheh një studim të përbashkët fizibiliteti mbi opsionet për lidhjen e infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në Adriatik, Berisha në një intervistë ekskluzive në Rubikon të Klan Kosovës tha se kjo pikë e marrëveshjes është jashtëzakonisht e rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe lidhjet e tyre me Evropën Qendrore.
Ai madje tha se për një ide të ngjashme edhe ai kishte lobuar kohë më parë.
“Kur ndërtuam Rrugën e Kombit publikisht dhe privatisht kam lobuar që kjo rrugë të shtrihet Prishtinë-Nish dhe këto janë me dokumente. Që në atë kohë jam përpjekur dhe kam lobuar për hekurudhën Durrës-Prishtinë. Ka ekzistuar projekti austro-hungarez, i vitit 1917, i lidhjes së Kosovës me hekurudhë me Shqipërinë që kalonte Pejë-Shkodër që edhe sot janë pykat e trajektores së asaj hekurudhe. Unë u përpoqa të gjeja mos kishte ndonjë projekt në arkivat e hekurudhës austriake, por nuk gjeta gjë. Sidoqoftë ajo hekurudhë është rimarrë tani me shumë seriozitet nga Qeveria Hoti, dhe e vërteta është se edhe para Ëashingtonit kjo qeveri e ka vendosur si çështje kryesore në agjendën e bashkëpunimit me Shqipërinë. Një hekurudhë e tillë është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe për portet e Shqipërisë”.
“Natyrisht është absurde të mendosh se Kosova dhe Shqipëria ndërtojnë një infrastrukturë për të përjashtuar vendet tjera, qoftë edhe Serbinë. Nuk ndodh kjo në botë. Nga kjo hekurudhë dhe nga ky korridor që ndërtojnë Shqipëria dhe Kosova përfitojnë Serbia, Bullgaria, si një pjesë e Hungarisë dhe Rumanisë”.
“Kjo forcon Shqipërinë dhe Kosovën shumë, natyrisht edhe lidhjet e tyre me Europën Qendore bëhen më të fuqishme”., tha Berisha.
Diskutime rreth kësaj post