Ngritja dhe funksionimi i organeve të drejtësisë duket se është një telash i madh për zyrtarët e korruptuar. Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit janë dy institucionet kyçe, që pas një kohe të gjatë do të ringjallë shpresat e qytetarëve për pushtetarët që janë të përfshirë në afera korrupsioni. Por duket se klasa politike është ajo që është trembur më shumë, e veçanërisht Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Këto dy parti, prej një kohe të gjatë kanë shpërthyer në sulme të forta në drejtim të reformës në drejtësi, e veçanërisht ndaj SPAK. Në lidhje me këtë reagoi ditën e djeshme avokati Spartak Ngjela.
Në një reagim për gazetën “SOT”, Ngjela deklaroi se PD-LSI kanë shpërthyer në sulme të forta, pasi sipas tij liderët e këtyre partive janë më të korruptuar. Sipas avokatit, pas këtyre sulmeve në drejtim të reformës në drejtësi fshihen pikërisht presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha, duke shtuar se këto sulme janë të kota pasi SPAK dhe BKH janë ngritur nga ekspertiza amerikane dhe ajo europiane dhe nuk e ndalin dot.
“PD-LSI po e sulmojnë reformën në drejtësi sepse në ato dy parti janë liderët më të korruptuar të partive. Reforma është bërë kundër korrupsionit të PD dhe LSI . Ky ka qenë koncepti amerikan dhe jo shqiptar, pastaj u bë dhe koncepti evropian. Të gjitha këto, edhe SPAK edhe goditjen e pushtetit gjyqësor që u bë për korrupsion e ka bërë ONM. SPAK e ka nxjerrë ONM me OPDAT dhe me ekspertizën amerikane, nuk ka lidhje fare mazhoranca. Por LSI dhe PD, d.m.th Berisha dhe Meta me gjithë grupin e tyre të korruptuar kanë frikë nga BKH e cila është duke ardhur. Në BKH janë të gjithë me shtetësi të dyfishtë, kështu e ka pranuar Kushtetuta shqiptare. Ata që pritet të vijnë janë me shtetësi amerikane dhe me shtetësi shqiptare, d.m.th që do drejtohen nga FBI. Atëherë nuk ka asgjë në dorë mazhoranca këtu”, – u shpreh Spartak Ngjela për gazetën “SOT”.
Rrezikohen ministrat e Ramës Por avokati më tej në reagimin e tij për gazetën rrëzoi edhe pretendimet e opozitës për ndikim të mazhorancës në reformën në drejtësi. Sipas Ngjelës, mazhoranca qeverisëse nuk ka asnjë akses të ndërhyjë në organet e reja të drejtësisë, duke shtuar se të prekur nga reforma janë edhe 4 ministra të kabinetit “Rama”.
Për Ngjelën, rrjedha e zhvillimeve në vend nuk mund të ndryshohet as me blerje të njerëzve të drejtësisë dhe as me ryshfete në administratat shtetërore.
“Por edhe mazhoranca rrezikohet, me 3 ose 4 ministra të tyre dhe nuk dihet se çfarë do të ndodhë me kryeministrin. Por 3-4 ministra janë në listën e SPAK. Mazhoranca nuk flet dot. Në të vërtetë u ka lëshuar rrugë reformës në drejtësi dhe do t’i lëshojë rrugë edhe reformës antikorrupsion. Pra është frika që i bën këta që të kundërvihen por nuk kanë fuqi. Ndërkombëtarët qeshin me budallaqet e tyre. Këshilla ime është kjo, shprehja e famshme e “Prende la vita come ti viene” pra “Merre jetën ashtu si të të vijë” e Dante Aligerit nuk e ndryshon dot rrjedhën e jetës me korrupsion, blerje gjyqtarësh e prokurorësh apo ryshfete të administratës shtetërore. Nëse SPAK e përfundon strukturën e vet, të gjitha këto bihen. Asnjë gjë nuk mund të ndodhë më nga këto në Shqipëri”, – u shpreh avokat Spartak Ngjela për gazetën “SOT”.
Diskutime rreth kësaj post