Dritan Shano, anëtar i këshillit kombëtar të Partisë Demokratike, mendon se çdo diskutim që lidhet me ndryshimet në sistemin elektoral ka mbaruar në datën 5 qershor, në reflektorët e vëmendjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe zgjedhësve.
“Këtë vrull të Ramës për të ndërtuar një sistem të ri elektoral, me çfarëdolloj argumenti – oratoria Ramës nuk i mungon, por i mungon produkti – unë e kualifikoj si një terrorizëm të mirëfilltë politik nga ana e kryeministrit, i cili në gjithë këto vite ka demonstruar se nuk ia ndien për demokracinë funksionale. Dhe këtë sjellje të tij ndaj pushtetit, dëshirës për ta marrë pushtetin me çdo formë dhe për ta mbajtur atë, e pamë të materializohet në votimet për pushtetin lokal që u mbajt me një parti të vetme vitin që shkoi. Kështu që edhe këtë sjellje të tanishme të tij, pavarësisht justifikimeve që do të sjelli deri në realizimin e saj, unë e shoh si një tentativë për ta përkeqësuar edhe më tej demokracinë e brishtë shqiptare dhe për t’i garantuar atij pushtet thuajse në tavolinë”, – tha Shano, i ftuar në Ditarin e A2.
“Ka një shprehje shumë të bukur që e ilustron gjithë performancën e zotit Rama në pushtet, qeverisjen e tij. “Qeni i keq ta sjell ujkun në der të vathës”. Dhe ky qen i keq u ka sjellë shqiptarëve varfërinë, emigrimin, përkeqësimin e të gjithë treguesve të të bërit biznes në Shqipëri, zhdukjen e konkurrencës, favorizimin e pak njerëzve, prishjen e teatrit kombëtar, mungesën totale të sistemit të drejtësisë, lista nuk mbaron dhe më të fundit janë rrugët që e zhvatin buxhetin e shtetit për 20 vitet qe vijnë dhe eliminojnë çdo mundësi që të investohet prej tij”.
Sipas Shanos, prishja e koalicioneve është taktikë politike.
“Në llogaritë e tij, me koalicione e humb pushtetin, me koalicione thotë “edhe mund ta kem pushtetin”. Listat e hapura janë thjesht një bombë tymuese për të hequr vëmendjen, nuk besoj se kanë ndonjë vlerë për t’u diskutuar. Ky njeri prish rregullat e lojës, është si të bësh një gol me dorë e të thuash që ishte i rregullt dhe prishja e koalicioneve në këtë moment, pasi është dakordësuar sesi do të hymë në zgjedhjet e ardhshme, është një taktikë e mirëfilltë, për të rritur mundësitë për të mbajtur pushtetin me çdo mënyrë”, – u shpreh Shano.
Ai tha gjithashtu se Rama do t’i shkojë deri në fund kësaj nisme që ka ndërmarrë, pasi i ka votat.
“Kryeministri e ka kuptuar se e shikojnë si një bast të humbur dhe këtë vetëdije po tenton ta kalojë me të tilla imponime të minutës së fundit. Unë shpresoj që të ndalet, por nuk besoj se do ta bëjë, pasi nuk u ndal kur mbushi parlamentin dhe bashkitë me kriminelë, nuk ndalet te rrjepja e buxhetit, kur lufton për të rrëmbyer çdo centimetër katror në Tiranë, kur bregdetin e jugut ia ka dhënë vetëm 5 vetëve, madje kushedi çfarë do t’i shpikë mendja, në parlament ka mbi 100 vota, mund të bëjë çfarë të dojë me to”.
Shano thotë se me këto veprime, Rama po del edhe kundër ndërkombëtarëve që e mbështetën marrëveshjen e 5 qershorit.
“Ajo u përshëndet nga Sekretari Amerikan i Shtetit. Rama në këtë moment po tallet me partnerin strategjik. Ai po bën gjithçka që të marrë pushtetin sepse thotë “këta prapë me mua do të flasin, nuk kanë ku shkojnë”. Njeriu dallon nga kafsha vetëm në një gjë: kafsha bën gjithmonë atë që dëshiron, njeriu bën atë që duhet. Rama në këtë mes po bën atë që bën kafsha, atë që dëshiron”. – përfundoi Shano.
Diskutime rreth kësaj post