# 18-vjeçari nga Kosova dënohet me 9 vjet burg në Gjermani pas sulmeve me thikë
Gjykata e Lartë Rajonale e Dyseldorfit ka dënuar me nëntë vjet burg një 18-vjeçar nga Kosova, i cili u shpall fajtor për dy raste të tentativës për vrasje dhe lëndim të rrezikshëm trupor.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat gjermane, ngjarjet lidhen me një seri sulmesh të ndodhura në Essen në shtator të vitit të kaluar, kur i riu ishte 17 vjeç.
### Sulmi ndaj mësueses dhe personave të tjerë
Sipas vendimit të gjykatës, i riu kishte planifikuar të sulmonte mësuesen e tij kujdestare në një shkollë profesionale, si dhe persona të besimit hebre në Sinagogën e Vjetër në Essen.
Ai fillimisht sulmoi dhe plagosi një kujdestar të një shkolle fillore, ndërsa më vonë shkoi në shkollën profesionale, ku sulmoi me thikë mësuesen. Ajo pësoi plagë të rënda në pjesën e kraharorit.
Më pas, i akuzuari u drejtua për në Sinagogën e Vjetër. Sipas Prokurorisë Federale, ai synonte të sulmonte sa më shumë persona hebrenj, por sinagoga ishte e mbyllur.
Në vazhdim, ai sulmoi një person të pastrehë në një stacion autobusi, duke e plagosur rëndë.
### Gjykata: Radikalizim përmes internetit
Trupi gjykues vlerësoi se i riu kishte zhvilluar qëndrime radikale islamiste përmes internetit. Sipas deklarimeve të tij, sulmi ndaj mësueses lidhej me pretendimin se ajo kishte fyer Profetin Muhamed.
Policia e ndaloi të riun në një park aty pranë, pasi ai kishte nxjerrë thikën. Sipas aktakuzës, ai kishte synuar të vdiste si “martir” nga të shtënat e policisë. Gjatë ndërhyrjes, një polic e qëlloi me armë zjarri, duke e plagosur rëndë në fytyrë.
### Vendimi ende nuk është i formës së prerë
Gjykata vendosi që 18-vjeçari të vendoset në një institucion për terapi sociale. Gjithashtu, sipas mediave gjermane, nuk përjashtohet mundësia e një ndalimi preventiv në të ardhmen.
Dënimi prej nëntë vjetësh është dhënë duke marrë parasysh edhe një dënim të mëparshëm për të mitur nga Gjykata e Qarkut në Essen. Vendimi nuk është ende i formës së prerë.
Burimi: Insajderi.org / WDR







Diskutime rreth kësaj post