Gjermani: 18-vjeçari nga Kosova dënohet me 9 vjet burg për sulmet me thikë
Gjykata e Lartë Rajonale e Dyseldorfit ka dënuar me **nëntë vjet burgim** një 18-vjeçar nga Kosova, i cili është shpallur fajtor për dy raste të tentativës për vrasje dhe për lëndim të rrezikshëm trupor.
Vendimi është shpallur të martën, më 22 shtator. Në kohën kur ndodhën sulmet, i riu ishte 17 vjeç.
Sipas gjetjeve të gjykatës, i riu ishte radikalizuar përmes internetit dhe kishte përqafuar ideologji islamiste. Ai fillimisht kishte sulmuar një kujdestar shkolle dhe më pas kishte plagosur me thikë një mësuese në një shkollë profesionale në Essen.
Mësuesja kishte pësuar plagë në kraharor, të cilat kishin qenë të rrezikshme për jetën.
Pas këtij sulmi, i riu ishte drejtuar drejt Sinagogës së Vjetër në Essen, me synimin, sipas aktakuzës dhe gjetjeve të gjykatës, për të sulmuar persona hebrenj. Pasi e kishte gjetur objektin të mbyllur, ai kishte sulmuar një person të pastrehë në një stacion autobusi, duke e plagosur rëndë.
Më vonë, policia e kishte ndaluar në një park, pasi kishte nxjerrë thikën. Gjatë ndërhyrjes, një efektiv policie e kishte qëlluar me armë, duke e plagosur rëndë.
### I riu i ka pranuar veprat
18-vjeçari i ka pranuar veprat për të cilat është gjykuar. Sipas deklarimeve të tij, sulmi ndaj mësueses ishte nxitur nga pretendimi i tij se ajo kishte fyer Profetin Muhamed.
Përveç dënimit me burgim, gjykata ka urdhëruar edhe vendosjen e tij në një institucion për terapi sociale.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, për shkak të vlerësimit se ai mund të paraqesë rrezik për kryerjen e veprave të tjera të rënda penale, është lënë e hapur edhe mundësia e një mase të mëtejshme parandaluese pas përfundimit të dënimit.
**Vendimi nuk është ende i formës së prerë.**






Diskutime rreth kësaj post