Ndërsa na ndajnë edhe 3 muaj nga dita kur qytetarët shqiptarë do t’iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur Parlamentin e ri, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijon t’i mbajë “peng” aleatët e tij për mënyrën sesi do të shkojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe se cilat do të jenë hapësirat që do u japë në lista.
Por megjithatë kjo gjë duket se nuk i ka penguar partitë e vogla aleatet me demokratët të vijojnë takimet elektorale. Kështu, Durrësi ishte ndalesa e radhës për aleatët e kreut të PD, Fatmir Mediun e republikanëve dhe Agron Dukën e PAA, i cili tashmë e ka siguruar një vend të sigurt në listat e këtij qarku. Gjatë një takimi me strukturat e Partisë Republikane në Durrës, Fatmir Mediu tha se çdo minutë që kalon është në dëm të opozitës, e cila para se të përcaktojë nëse do të dalë me një apo dy lista, duhet të ketë qëndrim të qartë se çfarë duhet të bëjë dhe si duhet ta ndryshojë realitetin.
“Gjëja e parë që ka nevojë opozita, më tepër se të bashkohet me një apo me dy koalicione, është të krijojë një marrëdhënie të qenësishme politike me qytetarët, nëpërmjet një kontrate të qartë politike dhe një kontrate morale, që përcakton detyrimet tona si politikanë, përballë qytetarëve shqiptarë, për të realizuar të gjitha ato që janë detyrimi ynë karshi qytetarëve, në respektim të lirive dhe të drejtave të tyre, për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme, për të krijuar mundësi punësimi, për të mbështetur biznesin, për të krijuar reforma të rëndësishme, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit, për të garantuar që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, brenda katër vjeçarit të parë”, – deklaroi Mediu gjatë takimit me strukturat.
Ndërsa kreu i PAA, Agron Duka, i cili me arritjen e marrëveshjes me Bashën, e ka më të qartë rrugën drejt 25 prillit, renditi problemet e Durrësit, duke premtuar zgjidhje.
“Përmbytja e disa zonave në qarkun e Durrësit qoftë edhe me një rrebesh shiu është kthyer në normalitet dhe kjo vjen kryesisht nga mos-pasja e një rrjeti kanalizimesh të rregullt. Infrastruktura rrugore qoftë edhe nëpër lagjet, por sidomos në fshatrat përreth është përkeqësuar deri në degradim në vitet e fundit. Papunësia e të rinjve të cilët me vështirësi të mëdha gjejnë vetëm punë sezonale gjatë sezonit të plazhit. Një pjesë e mirë e tyre edhe nëse nuk janë në emigrim, tashmë po lëvizin drejt kryeqytetit. Shumë individë duke dhënë ryshfet po ndërtojnë shtëpi të reja pa pasur dëme, ndërsa të tjerë që në të vërtetë kanë pasur dëme të rënda akoma vazhdojnë nëpër çadra. PAA në mënyrë të përsëritur ka kërkuar masa paraprake në zonat me risk të lartë pikërisht për të parandaluar këto risqe dhe pasoja shkatërrimtare”, – deklaroi Duka.
Diskutime rreth kësaj post