Një tjetër episod shqetësues për imazhin e turizmit shqiptar është raportuar nga një turist italian, i cili ka ndarë përvojën e tij negative me JOQ Albania. Ai thotë se prej katër vitesh viziton Shqipërinë, ku vjen për pushime dhe për të takuar familjarët e bashkëshortes së tij shqiptare.
Sipas tij, këtë vit pushimet iu prishën nga veprimet e një efektivi policie në zonën e Shkodrës dhe Velipojës, i cili e ndalonte sa herë që e shihte dhe i vendoste gjoba për shkelje që ai pretendon se nuk i kishte kryer.
Turisti tregon se në një rast, pasi e detyroi të firmoste dokumentet e gjobës, polici ia mori letrën nga duart dhe i mori paratë menjëherë. Ai shprehet se kjo përvojë i ka lënë shije të hidhur, ndonëse Shqipëria për të është “shtëpia e dytë”.
Ai paralajmëron se episode të tilla dëmtojnë rëndë imazhin e vendit dhe largojnë turistët. Sipas tij, këtë vit ka vënë re më pak vizitorë krahasuar me dy vite më parë dhe shumë të huaj që ka takuar i kanë thënë se nuk kanë më dëshirë të kthehen, pikërisht për shkak të rasteve të tilla.
Përkthimi i mesazhit në shqip:
“Mirëmbrëma, jam italian dhe bashkëshortja ime është shqiptare. Prej 4 vitesh vij në Shqipërinë e bukur për pushime dhe për të vizituar të afërmit dhe këtë vit më ndodhi, ashtu si shumë të tjerëve që kam parë në faqen tuaj, që policët më ndaluan dhe më akuzuan për shkelje që nuk i kisha bërë, duke më vendosur 4 gjoba në zonën e Shkodrës dhe Velipojës, të gjitha nga i njëjti polic… sa herë më shihte, më ndalonte. Gjobën e parë më bëri ta firmosja në letra, por te letra e dytë ma hoqi nga dora dhe më mori paratë. Është për të ardhur keq që ndodhin episode kaq të pakëndshme, sepse vendi juaj është shumë i bukur dhe është shtëpia ime e dytë, por nëse vazhdon kështu, po e shkatërroni vendin tuaj të bukur. Këtë vit pashë shumë më pak turistë krahasuar me dy vite më parë. Fatkeqësisht nuk kam video… thjesht doja t’ju bëja të ditur atë që më ndodhi… gjobat i kam paguar dhe në rregull, nuk dua të bëj skandal, por pashë që kjo i ka ndodhur shumëkujt dhe është për të ardhur keq, edhe sepse duke folur me njerëz të tjerë, më kanë thënë që nuk kanë më dëshirë të kthehen pikërisht për këtë arsye. Faleminderit që më kushtuat kohën tuaj, me respekt”.







Diskutime rreth kësaj post