Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla paralajmëron goditje të reja nga SPAK. Ai tha se drejtësia e re nuk pyet për asnjë, madje as për politikanë.
“Rasti i gjyqtares është rasti më kuptimplotë i funksionimit të institucioneve të reja të reformës në drejtësi. Puna e SPAK kulmoi me një dosje me 13 të arrestuar. Edhe rasti i mjekut si i përfshirë në përgjimet e këtij hetimi. Ky është një mesazh për të gjithë ata që kanë pasur dyshime se reforma në drejtësi nuk po prodhonte institucionet e duhura. Ka pasur dhe një mesazh për të gjithë ata që mendojnë se ja kanë hedhur reformës në drejtësi. Sot jemi në kushtet që drejtësia e re po fiton besimin e qytetarëve. Jam shumë i sigurt se cdo goditje tjetër, do të rrisë kredibilitetin e reformës në drejtësi. Përgëzoj publikisht dhe nxis sa më shumë rezultate të tilla të këtyre paudhësive”, – tha Balla për News24.
I pyetur se kur do të vijë dita që SPAK të godasë edhe politikanët, Taulant Balla u përgjigj se:
“Ne kemi sot pas hekurave ata që konsideroheshin të paprekshëm. Fakt që këta po goditen nuk më bën të kem asnjë lloj dyshimi që goditjet do të vazhdojnë. Jemi në proces. Edhe Shqipëria do të ketë një regjistër të vetin të personave të nivelit të lartë, qofshin në drejtësi apo politikë, që do të jenë subjekt i goditjes së fortë të drejtësisë së re. Kjo drejtësi e re është e pavarur dhe si e tillë nuk pyet se je politikan, biznesmen, punonjës i institucioneve të drejtësisë, se je me apo pa lekë”, – tha Balla.
Diskutime rreth kësaj post