Avokat Spartak Ngjela ka lëshuar dje të tjera akuza dhe kritika ndaj Greqisë sa i takon çështjes së kufirit detar. Sipas tij, presidenti turk Erdogan, ka të drejtë kur u shpreh: “Nuk ka komb dhe etni greke”.
Sipas tij, megjithatë, ai duhet ta dijë se në Gadishullin Ilirik ka etni dhe komb gjerësisht shqiptar.
“Greqia është një krijim artificial nga injoranca e fuqive europiane të fillimit të shekullit të XIX. Dhe gjithkush që respekton historinë, duhet ta dijë që ka një komb autokton arbëror në Gadishullin Ilirik. Revolucioni grek i vitit 1821 ishte revolucion shqiptar i arbërorëve që jetonin masivisht në Athinë, në Greqinë Qendrore, në Atikë, në Peloponez, në More e kudo nëpër ishujt e mëdhenj të Greqisë. Ata po kujtonin se po çlironin Arbërinë e tyre, kur iu pllakosi neohelenizmi antishqiptar, por që ky ishte dhe është, edhe kundër helenizimit të lashtë sokratian.
Krijimi i Greqisë antiarbërore ka qenë një marrëzi historike e dehjes europiane të viteve 1821-1850, sepse historia e njeh mirë që arbrit, me revolucionin e tyre të vitit 1821, janë krijuesit e Greqisë së Re. Pikërisht këtu qëndron dhe frika e sotme greke. Kjo frikë qëndron sepse, sipas gjuhës, vetëm gjuha shqipe ka lidhje me helenizimin e lashtë sokratian, domethënë me greqishten e vjetër. Greqishtja e sotme, nuk ka asnjë lidhje me helenizimin sokratian”, – tha ai.
Më tej Ngjela ka sulmuar kryeministrin Edi Rama. Sipas tij ai po mendon t’i japë territor Athinës.
“Kjo është edhe arsyeja që Greqia e sotme, kurrë nuk do të dalë dot nga frika e saj shekullore se Shqipëria arbërore do të mund të triumfojë. Kurse, kryeministri aktual i Shqipërisë, Rama, i jep pushtuesit grek territor shqiptar. Turp. Por, ky nuk është kryeministri i parë shqiptar që e bën këtë”, tha ai. Më tej ai është shprehur se për të krijuar një Bizant të vogël, fuqitë e mëdha europiane dhe sidomos Franca dhe Rusia, si mbështetëse të Serbisë dhe Greqisë, shkatërruan me genocid dhe frikë popullin shqiptar, banues masiv në të gjithë territorin e sotëm grek. “Kur e panë që shqiptarët nuk asimiloheshin se i mbante gjuha, të gjithë këta barbarë u hodhën kundër gjuhës shqipe. Kisha greke e quajti shqipen, gjuhë të mallkuar. A mund të ketë Krisht që mallkon gjuhën, kur Testamenti i Ri fillon kështu: “E para ishte fjala”. (!) Kurse Stambolli, kurrë nuk lejoi hapjen e shkollave shqipe në të gjithë Arbërinë. Por, këta nuk e njihnin historinë ose e urrenin atë, sepse ajo fliste për shqiptarët, histori kjo që filloi të vërtetohej nga gjuha”,- tha ai.
Diskutime rreth kësaj post