Ish-kryeministri Sali Berisha rrezikon të merret nën hetim pas shpalljes “non grata” nga SHBA. Në Bullgari, prokuroria nisi hetimet për 5 zyrtarë që u shpallën të padëshiruar dhe duket se e njëjta gjë do të ndodhë edhe në vendin tonë. Sinjalet erdhën dje nga kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja gjatë raportimit në sallën e Kuvendit. I pyetur nga deputeti Ralf Gjoni nëse do të nisin procedimet penale për “peshqit e mëdhenj” nga lista “non grata” e SHBA, Kraja deklaroi se çfarëdolloj informacioni apo materiali që do të vijë në SPAK nga SHBA do të hetohet deri në fund. Sipas tij, për kompetencat që SPAK ka, është e padiskutueshme që ndjekja penale do të hetohet duke përfshirë edhe hetimin financiar apo bllokimin e pasurive të paligjshme nëse do të jetë nevoja.
“Lista është një proces që ndodh në SHBA. Ne kemi procedurat tona për procedimin penal dhe ndjekjen penale. Ne jemi në Shqipëri dhe kemi parashikimet tona për një procedim penal e si shkohet deri te gjykata. Ajo që unë garantoj është se çfarëdo indicie, apo material që do vijë, apo të kemi ne në dispozicion në raport me çdo shtetas shqiptar, për kompetencat që ne kemi në juridiksionin tonë, padiskutim që jemi të vendosur për ta çuar ndjekjen penale deri në fund, qoftë penalisht, qoftë nga pikëpamja e hetimit financiar, qoftë dhe nga pikëpamja e bllokimit të pasurive të paligjshme. Çfarëdo që do të vijë, përfshirë dhe nga partnerët ndërkombëtarë, patjetër”, deklaroi ai.
Ndërkohë Kraja lidhur me denoncimet për krimet zgjedhore, u shpreh se SPAK ka kompetenca vetëm për korrupsionin aktiv dhe pasiv. Ai tha se kanë nisur mbi 50 procedime penale dhe rezultatet do të jepen në vazhdim. Ndërsa për hetimin pasuror ai tha se i jepet përparësi pasi SPAK si strukturë nuk mund të kërkojë llogari për çmimet e shtëpive, por nis hetimet sapo ka informacione. Sipas tij në çdo rast që do të ketë informacion, do të bëhet objekt i ligjit.
“Për krimet zgjedhore, SPAK është e përfshirë vetëm për korrupsionin aktiv e pasiv në zgjedhje. Kemi nisur mbi 50 procedime penale, kur të ketë rezultate do i japim. Sa për hetimet pasurore, SPAK është strukturë ligjore, nuk mund të dalë në rrugë e t’i kërkojë dikujt sa e ke këtë shtëpi. E kemi përparësi hetimin pasuror. Në çdo rast që marrim informacion, do jetë objekt i ligjit”, tha ai.
Sa u përket rezultateve që opinioni publik pret prej SPAK, Kraja u shpreh se çdo rast do të evidentohet dhe do të hetohet duke mbledhur provat e duke mos u tërhequr.
“Rezultate ka pasur. Pritshmëritë e njerëzve janë nga më të mëdhatë. Por ne jemi të vendosur që çdo rast që do të evidentohet, do ta hetojmë deri në fund, pa asnjë tërheqje, duke mbledhur provat e nevojshme dhe duke shkuar në përfundim”, tha Kraja.
Diskutime rreth kësaj post