Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u janë rikthyer dje përplasjeve me njëri-tjetrin në distancë. Shkak është bërë plani me 5 pika i PD për të rimëkëmbur ekonominë e vendit, duke trazuar kështu ujërat politikë mes selisë rozë dhe selisë blu, kur vetëm 6 muaj na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Fillimisht ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili i është përgjigjur thirrjes së kryedemokratit Basha që dje shkoi në Durrës ku takoi nga afër biznese dhe pa gjendjen e tyre. Përmes një postim në rrjetin social “Twitter”, Rama shkruan se programi i Bashës është një tramvaj me shalqi që nuk piqen kurrë, ndërkohë që nuk i kurseu komentet edhe për faktorët e tjerë politikë si Monika Kryemadhi, Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta. Rama presidentin Meta e quajti makinist, ndërsa zonjën Kryemadhi fatorino. “Programi i Lulit është një tramvaj me shalqi që nuk piqen kurrë, me Ilirin makinist, Monikën fatorino, Saliun shkarkues gazrash dhe vetë Lulin pasagjer VIP”, shkruan kryeministri Edi Rama në Twitter.
Reagon Basha
Por nuk ka vonuar shumë dhe një kundërpërgjigje për kryeministrin Edi Rama ka ardhur nga kryedemokrati Lulzim Basha. Ky i fundit me anë të një statusi në rrjetet sociale shkruan se “skemat” e Ramës nuk e mbulojnë dot dështimin në qeverisjen e vendit, duke e akuzuar edhe për vjedhje parash, të cilat sipas numrit një të Partisë Demokratike duhet të shkojnë tek qytetarët.
“Gërrvërret prej palaçoje nuk e mbulojnë dot dështimin tënd dhe krizën ku i ke zhytur njerëzit. Pas çdo gërrvërri t’i fsheh vjedhjet e qeverisë prej miliona eurosh, si mbrëmë me inceneratorët. Para që duhet të shkojnë te shëndetësia, të papunët, pensionistët e biznesi në krizë”, shkruan ai.
Nga ana tjetër kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar dje disa takime me biznesin e vogël në Durrës për të shpjeguar planin e rimëkëmbjes nga pandemia. Pas përfundimit të takimit me biznesin e vogël, në një dalje për median, ka deklaruar se sipas tij kriza ka filluar të “kafshojë qytetarët”, pasi fundi i shtatorit ka shënuar një rënie të thellë në ekonomi.
“Sot dikush ka përgjegjësinë për t’iu përgjigjur këtyre njerëzve, jo më konferencë për shtyp por të tregojë çfarë plani ka sepse kriza ka filluar të kafshojë prapë. Fundi i shtatorit ka shënuar dhe një krizë më të thellë ekonomike. Cila është përgjigjia e qeverisë për këtë krizë. 0 përgjigje. Shumicën e kohës e harxhon duke iu përgjigjur planit tonë. Ftesa që kam sot është t’i japin fund propagandës dhe të marrin planin tonë me 5 pika dhe ta aplikojnë”, – deklaroi ai.
Ndërkohë zoti Basha ka akuzuar qeverinë se sipas tij nuk ka bërë asgjë për njerëzit, ndërsa i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të zbatojë planin e PD për rimëkëmbjen dhe t’i lërë konferencat për shtyp.
“Ftesa që kam sot për qeverinë: Jepini fund lojërave dhe propagandës, merrni planin tonë me 5 pika dhe fillojeni e zbatojeni! Siguroni mbrojtjen ndaj pandemisë se po shtohen rastet, mbrojtje mjekëve dhe infermierëve, jepini pagën dhe rimbursim të sëmurëve se siç më tha një infermiere një i sëmurë me Covid 19 harxhon vetëm për barnat 60 mijë lekë, ndërsa nëse merr edhe oksigjen shkon deri në 12 mijë lekë të reja. Jepni 1 mijë euro për mjekët dhe 500 euro për infermierët”, – u shpreh ai.
Më tej ai duke iu referuar propozimeve të PD ka bërë listën se ku duhet të ndërhyhet. “Sepse qytetarët, mjekët, biznesi, pensionistët, të papunët kanë nevojë urgjente për mbështetje, për ndihmë. Prandaj duhet pa humbur më kohë, pa e thelluar dhe më shumë krizën të miratohet: bonusi mujor prej 1000 euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier; çeku prej 1000 euro për bizneset e vogla, për të zbutur barrën e kostove të shtuara gjatë 7 viteve të fundit; pagesa mujore prej 16,000 lekësh të reja deri në prill 2021, për qytetarët që kanë humbur vendin e punës”, – nënvizoi Basha.
Diskutime rreth kësaj post