Kryeministri Edi Rama pritet që të publikojë 40 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit listën e kandidatëve për deputetë. Edhe pse na ndajnë rreth 3 muaj nga dita kur qytetarët shqiptarë do t’iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur Parlamentin e ri dhe qeverinë e re, kryesocialisti Rama ka menduar që të lërë në ankth deri në mes të muajit mars deputetët dhe ata që kanë shfaqur ambicien për të garuar në siglën e Partisë Socialiste në këto zgjedhje të përgjithshme.
Gazeta ka mësuar se një gjë e tillë iu është bërë e ditur këtë të hënë 12 drejtuesve politikë të PS në qarqe, gjatë një takimi që zhvilluan në selinë rozë, ku në fokus ishte ecuria e fushatës elektorale, si dhe çfarë është arritur dhe çfarë duhet adresuar deri më 25 prill. Mësohet se kryeministri Rama është shprehur para vartësve të vet se ai tashmë e ka gati listën e kandidatëve për deputetë, por duke qenë se nuk është shumë i kënaqur me punë e disa prej tyre, ai ka vendosur që të shtyjë për në mars publikimin e emrave që do të garojnë për Partinë Socialiste, duke iu dhënë kështu një mundësi që të punojnë për të qenë kandidatë në zgjedhjet e ardhshme.
Lista e kandidatëve publikohet 40 ditë para zgjedhjeve.
Por gazeta ka mësuar se një tjetër arsye se përse shefi i socialistëve ka vendosur që të shtyjë publikimin e listës së kandidatëve është deri diku edhe një lëvizje strategjike. Hartimi i listës së kandidatëve është ndër sfidat kryesore të PS dhe pritet që takimet e shtabit të Partisë Socialiste të jenë më të shpeshta. Kështu që duke qenë e tillë, kryeministri Rama ka vendosur që listën ta bëjë publike në mars, për të mos krijuar hatërmbetje dhe pakënaqësi mes emrave të caktuar nga grupi aktual parlamentar, disa prej të cilëve pritet të mos kandidohen në zgjedhje.
Kjo do të thotë se zoti Rama, po i mban në akth të gjithë dhe nuk po e zbulon listën e kandidatëve, në mënyrë që emra nga deputetët aktualë që nuk do të kandidohen në zgjedhjet e 25 prillit të mos punojnë kundër PS apo të largohen nga kjo forcë politike drejt një force tjetër. Pra, shefi i selisë rozë nga një anë po i lë në ankth të gjithë, ndërsa nga ana tjetër atyre që janë me pikëpyetje po iu jep një mundësi që t’i vlerësojë për punën në terren gjatë kësaj periudhe, në mënyrë që nëse shikon progres, mund të ndryshojë mendje dhe t’i rifusë në listën finale të Partisë Socialiste sa u takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht, pasi kryeministri Edi Rama është njeri që i pëlqejnë surprizat. Kujtojmë që lajmin se listat e kandidatëve për deputetë Partia Socialiste i ka gati, e pohoi për mediat edhe në përfundim të mbledhjes të ditës së hënë, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla.
Ky i fundit theksoi se Balla tha se listat janë pothuajse gati, por po bëhen konsultimet e fundit. “PS ka zhvilluar një proces shumëplanësh për vlerësimin dhe caktimin e kandidaturave. Kemi përmbyllur fushatën “Deputeti që duam” dhe kemi arritur në një grup përfaqësuesish shumë të mirë. Jam i sigurtë që në të gjitha qarqet do të kemi përfaqësues të djemve dhe vajzave që kanë ardhur përmes këtij procesi. Edhe nga vlerësimi i deputetëve aktualë kemi marrë një Feedback shumë pozitiv. Kam besim se në shumë lista dhe shumë qarqe do të ndryshojë për shkak të preferencave. Listat janë pothuajse gati”, deklaroi Balla.
Diskutime rreth kësaj post