Jozefina Topalli ka dalë hapur kundër kreut të PD Lulzim Basha duke kërkuar në media largimin e tij nga partia pasi sipas saj për faj të Bashës opozita ndodhet në kushte të këqija dhe lejon Ramën të qeverisë.
Ndërkohë ditën e djeshme kreu i grupit parlamentar demokrat Myslim Murrizi, i dalë nga listat e PD, ka folur në lidhje me krijimin e një partie të re nga ana e tij, ku mes të tjerash ka deklaruar se do të kontaktojë edhe Jozefina Topallin që të jetë pjesë e partisë së tij.
“Nuk kam hasmëri politike, ajo ka qenë mikeshë e imja, kemi kaluar peripeci të llahtarshme, pse jo do të përpiqem të kontaktoj jo vetëm Topallin, por me të gjithë ata që duan t’i bashkohen atyre që kërkojnë pushtet me votë, e jo me rrotë”, – tha Murrizi.
Por sakaq, teksa Murrizi synon që t’i bashkohet një figurë politike e vjetër sikurse është Topalli, nga ana tjetër, Rudina Hajdari nga opozita e re me të cilën kanë qenë bashkë në betejën për lista të hapura, nuk do t’i bashkohet në partinë e re.
Hajdari do të hapë një parti tjetër, pak kohë më parë ajo deklaroi se do t’i bashkohet Nismës Thurje. Për këtë, Murrizi shprehet se nuk ka mbetur i zhgënjyer, ndryshe nga Halit Valteri, pasi rrëfen se Hajdari në asnjë moment nuk i kishte premtuar se do shkonin bashkë në zgjedhje.
“Një zhgënjim i atij (Halit Valteri) jo i imi, me idenë që kemi qëndruar së bashku për kauzën e hapjes së listave, jo vetëm me Hajdarin. Tani duhet të ndahet gjithsecili për të mirën e tij. S’na kishte premtuar se do ishim bashkë në parti. Unë iu kam thënë do organizojmë një lëvizje me një sigël partie, që të mos spekulojmë me të qenit deputet dhe të kandidojmë në 12 qarqe. Hajdari nuk ka qenë e prirur për të qenë pjesë e lëvizjes së përbashkët”, – tha Murrizi.
Ndërkoh sa i takon zgjedhjeve të 25 prillit, Murrizi u premton qytetarëve se do të jenë më të fortë në Kuvend, teksa nuk e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni pas zgjedhor.
“Do të kandidojmë në 12 qarqe me 140 kandidatë me lista të hapura. Do të jemi më të fortë në Kuvend, hapja e listave është një sukses i yni. Kushtetuta nuk ndryshohet më. Luli dhe Rama insh-Allah po i mbyllin listat, nëse mendojnë se mund të vijnë në pushtet me militantë, i ftoj shqiptarët që të votojnë forcat e tjera politike që do jenë në garë me 100% lista të hapura. Nuk i përjashtoj koalicionet pas zgjedhjeve”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post