Sikurse me shumicën e ligjeve, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka kthyer edhe atë “Për Prokurimin Publik”, duke rindezur kështu luftën e dekreteve me qeverinë dhe mazhorancën socialiste. Ditën e djeshme përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, presidenti Meta bën me dije se ka kthyer për rishqyrtimi ligjin për prokurimet, pasi sipas tij, ky ligj cenon konkurrencën e lirë, favorizon kompanitë e lidhura me pushtetin dhe shpërdorimin publik. Madje, Meta rekomandon që Kuvendi i Shqipërisë të rishqyrtojë ligjin dhe të mbajë në vëmendje nevojën për përcaktimin e rregullave të qarta, transparente në procedura që lidhen pikërisht me prokurimin me fonde publike.Sipas tij respektimi i këtyre rregullave do të garantojë efektivitet, eficiencë dhe mirëpërdorim të këtyre fondeve.
“Duke vlerësuar se ky ligj bie ndesh me parimet e mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, duke krijuar pabarazi në trajtimin e operatorëve ekonomikë, diskriminim të tyre, dhe duke i penguar të ushtrojnë të drejtën për liri të veprimtarisë ekonomike, edhe në raport me mundësinë e hyrjes në marrëdhënie kontraktuale me autoritetet kontraktore, krijon mundësi për shpërdorim të fondeve publike. Deformimi i konkurrencës shkakton pasoja direkte në cilësinë e mallit/shërbimit të prokuruar, që ka impakt direkt dhe kosto financiare, duke ulur transparencën e administrimit të fondeve publike”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e Presidentit të Republikës.
Më tej në argumentet e tij, presidenti Meta thekson edhe faktin se disa nene të ligjit në fjalë kanë mangësi dhe se duhet të rishikohen nga ligjvënësit.
“Kjo mënyrë veprimi për shkak të hapësirave që krijon ligji dhe mospërcaktimit të një mekanizmi efektiv të kontrollit ligjor të veprimtarisë së autoriteteve kontraktore, rrit rrezikun e keqpërdorimit të fondeve buxhetore, për shkak të adresimit të gabuar që në fillim të nevojave për mallra apo shërbime, dhe duke kanalizuar procesin e prokurimit në rregullime të tjera nga ato që duhet t`i nënshtrohen sipas nevojave reale. I njëjti shqetësim i referohet edhe dispozitës së nenit 10 dhe nenit 12, të ligjit nr. 162/2020, mbi kontratat sekrete dhe kontratat që kërkojnë masa të veçanta sigurie. Këto dispozita shmangin rregullimet e këtij ligji, pa orientuar se kush mund të përbëjë “interes thelbësor të shtetit”, duke e lënë në gjykim të një autoriteti apo enti kontraktor. Presidenti i Republikës vlerëson se, Kuvendi i Shqipërisë duhet të plotësojë dispozitat e mësipërme me gjithë parashikimet e nevojshme, në mënyrë që të kufizohet çdo mundësi interpretative për keqpërdorin në praktikë nga ana e autoriteteve/enteve kontraktore”, argumenton presidenti Meta.
Diskutime rreth kësaj post