Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj zbuloi se i është ofruar një post i lartë qeveritar nga kryeministri Edi Rama, ofertë të cilën ai thotë se e ka refuzuar.
Sipas Lapajt, në datën 30 qershor dhe gjatë javës së dytë të korrikut, kryeministri Rama i ka bërë dy herë ofertë për t’u bashkuar me qeverinë.
“Më është ofruar posti i zëvendëskryeministrit dhe dy ministri, njëra prej tyre Ministria e Bujqësisë. Këtë nuk e mohojnë dot, le të dalë ta mohojë,” u shpreh ai në News 24.
Lapaj theksoi se oferta është paraqitur si pjesë e tezës për krijimin e një qeverie me bazë të gjerë, me qëllim përshpejtimin e integrimit evropian dhe për të krijuar, sipas tij, “nuanca demokratike”, duke përfshirë të rinjtë në politikë dhe në strukturat qeverisëse.
Megjithatë, kreu i “Shqipëria Bëhet” deklaroi se pranimi i një oferte të tillë do të përbënte tradhti ndaj idealeve që përfaqëson. “Nëse do të shkoja atje, do të tradhtoja idealet e mia. Nuk do të mund t’i shihja prindërit e mi në sy,” tha Lapaj, duke shtuar se një vendim i tillë do ta vinte përballë një zhgënjimi personal dhe moral./Politico







Diskutime rreth kësaj post