• Kreu
  • Ambasadat
  • Institucionet
  • Shtypi ditor
  • Kontakt
Lajme.al
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Botë
  • Kulturë
  • Sport
  • Spiritualitet
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Shëndet
  • Rozë
  • Dosje
Nuk ka rezultat
Shikoni gjithë rezultatet
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Botë
  • Kulturë
  • Sport
  • Spiritualitet
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Shëndet
  • Rozë
  • Dosje
Nuk ka rezultat
Shikoni gjithë rezultatet
Lajme.al
Nuk ka rezultat
Shikoni gjithë rezultatet
Kreu Dosje

Kush sundon përmes Perëndimit, do të rrëzohet prej tij

27 February, 2017
në Dosje
0
6
Lexime
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Twitter
Çfarë kanë të përbashkët Gruevski në Shkup, Meta dhe Basha në Tiranë, Thaçi e Veseli në Prishtinë? A do të jenë gjithë ish-liderë nga fundi i këtij viti? A do të jenë qytetarë të lirë, në bankën e të akuzuarve?

Nga Ilir Mirena

Është fascinante mënyra se si në Ballkan kurrë nuk flitet për gjërat e mëdha. Ç’është e vërteta, nëse i pyet, shumica e qytetarëve ballkanas do të ankohen se opinioni publik dhe liderët politikë flasin vetëm për temat e mëdha: për kombin, lirinë, çlirimin, historinë e krenarinë.

Por, këto nuk janë tema të mëdha. Madje, këto nuk janë tema fare. Ishin dhe janë vetëm dokrra hajdutësh. Shtetet e Ballkanit kurrë nuk u çliruan. Ato i çliruan. Saherë që diçka e tillë konsiderohej e domsdoshme.

Temë e madhe sot është operacioni i eliminimit të udhëheqjeve të banditëve që po zhvillohet simultanisht në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. Kemi arsye të besojmë se është operacioni më i madh i këtij lloji në këtë çerek-shekull. Është i koordinuar nga shumë akterë ndërkombëtarë dhe i udhëhequr nga qeveria/ambasadat amerikane në rajon. Si edhe rëndom.

Ka shumë që flasin, raportojnë dhe analizojnë për atë që po ndodh në Shkup, Tiranë e Prishtinë. Mirëpo, deri sot, nuk u pa një shkrim i vetëm që merr guximin t’i ndërlidhë këto. Askush nuk e merr guximin ta pranojë se bëhet fjalë për operacion të organizuar me vite të tëra. Kjo, për faktin se pak-kujt i konvenon. Në Ballkan ka shumë pak të tillë të cilëve u konvenon eliminimi i këtillë, masiv dhe kolektiv, i elitave politike që sunduan paranë, kulturën dhe mendjen popullore për 25 vitet e fundit. Miliona njerëz në këto shtete tash e sa vjet janë klientë të devotshëm të këtyre elitave. Atyre ua kanë borxh karrierën, mirëqenien, perspektivën dhe ardhmërinë.

Pak-kush, pra, do ta pranojë se në këto çaste po zhvillohet faza e parë e eliminimit të bandave kriminale të politikës së Ballkanit jugperëndimor: çmontimi i fuqisë së nëntokës politike/financiare të Ilir Metës, Sali Berishës, Nikolla Gruevskit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, etj. Arsyetimet formale përmes të cilave po zhvillohet ky operacion i paparë deri sot janë sa formale, aq edhe të parëndësishme. Por, të tilla janë vetëm në sipërfaqe.

Protestat në në Shqipëri raportohet të jenë pasojë e mospajtimeve me komisionine vettingut. Përralla. Kriza në Maqedoni thuhet të jetë punë e numrave për koalicion të ri qeveritar. Përralla. Paraliza në Kosovë thuhet të jetë pasojë e luftës së papërgjegjshme për pushtet dhe, mbase, edhe e Gjykatës Speciale. Sërish, përralla. Janë këto vetëm arsyetime formalo-juridike të formuluara si perde tymi, për mediat analfabete dhe publikun e manipulueshëm. Pak-kush,e gati askush, nuk po merr guximin ta pranojë se që të gjitha janë të organizuara dhe të udhëhequra nga bashkësia ndërkombëtare, e sidomos nga qeveria amerikane.

Nëse ka sukses, do të jetë ky operacioni i parë – dhe, më i madhi që po e dëshmojmë – i transformimit të koordinuar të modelit të qeverisjes në këtë pjesë të botës. Me sa mund ta vërejmë, faza e tij e parë pritet të përfundojë me (së pari) eliminimin politik dhe (mbase, më vonë) me arrestimin e Ilir Metës, Sali Berishës, Nikolla Gruevskit, Hashim Thaçit e shumë liderëve të tjerë në rajon.

Nuk ka se si të interpretohet ndryshe ky shtetrrethim i butë –administrativo-byrokratik, në sipërfaqe – në të cilin sot ndodhen Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova. Nga deklarimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë – shembull, Johannes Hahn i BE-së, Ambasadori Donald Lu i SHBA, etj – diçka mund të konstatohet qartë: strukturat që ndodhen nën rrethim nuk kanë më gjasa të jenë në pushtet. As Gruevski në Maqedoni, as Basha e Meta në Shqipëri. Edhe pak javë do ta kuptojmë se e njëjta do të vlejë edhe për Hashim Thaçin dhe kamarillën e tij në Kosovë. Keni vetëm pak durim. Do të bindeni.

Pavarësisht arsyeve dhe arsyetimeve formale, ky operacion e ka vetëm një emërues të përbashkët: skadimi i kohës së përdorimit të elitave të deritashme. Ato duhet të shkarkohen, të çmontohen dhe të ndëshkohen – që të mund të fillojë një fazë e re e shtet-ndërtimit në Ballkanin jugperëndimor. Se çfarë do të jetë ai është çështje për ndonjë editorial të radhës.

Mirëpo, aktualisht, nuk ka fort lidhje nëse bëhet fjalë për po të njëjtat elita të cilat e fituan dhe e mirëmbajtën pushtetin falë bashkëpunimit me po këtë bashkësi ndërkombëtare. Nuk do të jenë as të parat e as të fundit në histori të cilat bashkëpunuan, u korruptuan dhe u ndëshkuan nga po kjo bashkësi ndërkombëtare (shembull, kujtoni Hossni Mubarakun në Egjipt, më 2011: pas gati 40 viteve të shërbimit besnik Perëndimit, u la në mëshirën e masave – apo, më saktë, në ‘vullnetin e popullit’. Apo, edhe Millosheviqin nga fundvitet ’80, kur ishte i përkëdheluri i bashkësisë ndërkombëtare.)

Asgjë e re. Siç edhe i ndodhë rëndom komunitetit politik perëndimor, me kalimin e kohës, elitat lokale me të cilat bashkëpunon nëpër botë shndërrohen nga një partner i besueshëm në pengesë për zhvillim

Andaj, duhet të shkarkohen dhe, mundësisht, të ndëshkohen. Të mos u lejohet hyrja në libra të historisë. Të fshihen nga kujtesa shoqërore. Të mos shndërrohen në shembull, por në vërejtje.

Në ditët dhe javët që do të pasojnë do ta shohim një teatër tragjikomik. Gruevski, Basha dhe Meta do ta humbin luftën. Qeveritë e reja në Maqedoni dhe Shqipëri do të detyrohen t’i çmontojnë oktopusët kriminalë që janë mirëmbajtur prej tyre gjatë viteve. Kjo s’do të thotë që Edi Rama dhe Ali Ahmeti do të shpëtojnë. Përkundrazi. Atyre do t’u vijë radha pak më vonë. Mbase, dy-tri vjet më vonë. Por, me rëndësi është se çfarë do të ndodhë sivjet.

Situata të njëjta me ato që po i shohim në Maqedoni e Shqipëri do t’i kemi edhe në Kosovë. Shpërndarje të Kuvendit në prag të Gjykatës Speciale, kërcënime, protesta dhe – akuza për ‘përzierje ndërkombëtare në çështje të brendshme’. Për ata që mbajnë mend, ishte po kjo frazë e cila e shënoi divorcin e Sllobodan Milosheviqit me Perëndimin. Është po kjo frazë që javë me herët e përmendi Ilir Meta dhe të cilën ditë më herët e vajtoi Nikolla Gruevski. Po e njëjta do të dëgjohet edhe nga ca liderë aktualë në Kosovë. Keni vetëm pak durim. Do ta shihni.

Sa për Kosovë, ekziston laryshi e madhe e arsyetimeve: prej Demarkacionit, Korrupsionit e Asociacionit – deri te Gjykata Speciale dhe krimet e luftës. Do të përdoret ai që është më i përshtatshmi. Me rëndësi është që operacioni të kryhet me sukses. Mjetet nuk kanë ndonjë rëndësi.

Natyrisht, nuk ka ndonjë arsye që t’i gëzoheni kësaj që po ndodhë. Siç e thamë, miliona njerëz në këto shtete tashmë janë klientë të këtyre strukturave. Rënia e tyre do të jetë edhe çmontim i mirëqenies dhe privilegjeve së qindra mijëra të tjerëve. Për këtë arsye, është ky operacion i ngadalshëm me përplot rreziqe. Po ashtu, është i udhëhequr nga struktura ndërkombëtare që kanë përplot kriza e paqartësi nëpër qendrat e tyre, nga Washingtoni deri në Bruksel. Megjithatë, deri sot, duket se po zhvillohet me përpikëri dhe këmbëngulësi. Duket se Hahn në Shkup dhe Lu në Tiranë nuk e kanë ndërmend të zmbrapsen.

Mirëpo, rreziku i vërtetë pritet nga po këta qindra-mijëra njerëz të cilët në një moment do ta kuptojnë se bëhet fjalë (edhe) për mirëqenien e tyre. Reagimi i tyre mund të ndikojë në mbarëvajtje të operacionit. Ata pritet t’i mbushin rrugët me pankarta urrejtëse dhe thirrje për luftë. Kjo më së lehti vërehet nga përgatitjet e përkrahësve të Gruevskit në Maqedoni që t’i akuzojnë shqiptarët për shkatërrim të shtetit. Të ngjashme ishin edhe përpjekjet me Tren, Mur dhe Taxi në Kosovë gjatë janarit. Do të ketë edhe plot të tjera. Mirëpo, nëse duhet vënë bast, do të thoshim se nuk kanë gjasa të fitojnë.

Këtë herë, nuk janë në luftë me shoqërinë civile apo opozitën e dobët. Këtë herë, janë në luftë me ish-punëdhënësit.

Kush sundon përmes Perëndimit, do të rrëzohet prej tij.

Paraardhëse

Paul dhe Javier nuk është e BE-së ajo derë!

Pasardhëse

Horoskopi ditor, e martë 28 Shkurt 2017

Pasardhëse
horoskopi ditor

Horoskopi ditor, e martë 28 Shkurt 2017

Diskutime rreth kësaj post




Aktualitet

Ndryshojnë rregullat për udhëtimet në Evropë, ja çfarë duhet të dini për sistemin e ri biometrik

Nga lajme2
30 September, 2025
0

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës i ka njoftuar qytetarët e vet se nga data 12 tetor do të...

Gjykata e Apelit dënon me 12 vite burg biznesmenin Francesco Becchetti

30 September, 2025

Edona Bilali, emërohet zv.ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë

25 September, 2025

Ish-deputetja e LSI-së Silva Caka emërohet zv.Ministre e Brendshme

25 September, 2025

Balluku drejtuese e fushatës së Tiranës, Berisha: E garantoj se do ketë fatin e Erion Veliajt

25 September, 2025
Lajme.al

Lajme.al është një media online, që ka për qëllim informimin e paanshëm duke vënë profesionalizmin dhe interesin qytetar në plan të parë.

Kategoritë

  • Aktualitet
  • Botë
  • Dosje
  • Ekonomi
  • Kosovë
  • Kryesore
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Lajme
  • Oferta
  • Opinion
  • Politikë
  • Rajon
  • Rozë
  • Shëndet
  • Shqip+
  • sociale
  • Spiritualitet
  • Sport
  • Teknologji

Na ndiqni në rrjetet sociale

Nuk ka rezultat
Shikoni gjithë rezultatet
  • Ambasadat
  • Institucionet
  • Shtypi ditor
  • Termat e përdorimit
  • Kontakt

© 2018 Lajme.al - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Nuk ka rezultat
Shikoni gjithë rezultatet
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Rozë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Botë
  • Kuriozitete
  • Kosovë
  • Sport
  • Shëndet
  • Kulturë
  • Teknologji

© 2018 Lajme.al - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.