Kreshnik Spahiu ka goditur fort Lulzim Bashën, duke e cilësuar frikacak përballë kryeministrit të vendit Edi Rama. Ish-kryetari i Aleancës Kuq e Zi përmes një postimi në Facebook, ka shprehur se Lulzim Basha ka frikë të ulet në dialog me kryeministrin Edi Rama, duke sjellë në shembull një sërë liderësh botërorë dhe historitë e tyre të dialogëve me kundërshtarët.
“I paaftë në dialog, idiot në monolog! Ibrahim Rugova dikur u takua me Millosheviçin, por sot askush nuk e quan tradhtar. Trump u takua me Kim Jongun, por askush nuk e quan humbës. Merkel dialogon rregullisht me Putin, por askush nuk e quan të dështuar. Amerikanët po dialogojnë me talebanët dhe askush nuk ka frikë se nga dialogu me armikun do dalin të humbur. Pse kjo frikë e Lulit të dialogojë me Edi Ramën? Lulzim Basha po dialogon me çdo ambasador, diplomat, euro-deputet madje aq shumë e ka ulur pazarin sa çdo të huaj që takon nga Bullgaria, Estonia, Italia, e trajton si mbështetje ndërkombëtare dhe e përcjell me kamera tek oborri i PD”, shkruan Spahiu.
Më tej, ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi, ripërsërit pyetjen e tij, ndërsa për përgjigje ka fjalën “I dobët”.
“Po pse kjo frikë e madhe nga dialogu? Basha mund të ulet dhe t’ia kërkojë dorëheqjen në tavolinë dhe madje të gjithë do e duartrokasin nëse e bën si burrat me kamera LIVE në TV. Jo jo ai nuk e do këtë gjë dhe ka 2 arsye: Ai është lider aq i dobët sa askush nuk ka besim se nga dialogu ai do dalë i fituar. Pse demokratët kishin besim po të dialogonte Berisha, dhe pse socialistët nuk kanë frikë nëse lideri i tyre, Rama ulet në dialog me Bashën? Jo vetëm demokratët s’kanë besim, por as Berisha nuk e lejon sepse i duket i paaftë, madje ka konstatuar se 3 vjet rresht miliona shqiptarë tallen dhe Basha është transformuar në figurë qesharake”, shton më tej Spahiu, ndërsa sulmet ndaj Bashës nuk përfundojnë.
“Së fundmi Lulzim Basha po hyn në histori si i vetmi lider që bën marrëveshje dhe dialog me dy komponentë të paprecedentë në 100 vite histori politike: Ka frikë të “martohet” me Ramën drejtpërdrejt dhe ja bën propozimin me “prokurë” duke ulur Oerd Bylykbashin në Kishë për të bërë betimin e besnikërisë; Bën marrëveshje për të “mos ndryshuar” asgjë. Pra të ruajë pozitat e vjetra. Përgatitet mos humbi partinë pas humbjes 2021”, shkruan ai.
			
			






                
Diskutime rreth kësaj post