Kolegji Zgjedhor ditën e djeshme ka rrëzuar padinë e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për qarkun Berat me argumentin se ishte e pabazuar në prova dhe në ligj. LSI pretendonte se hapja e gjithë kutive në Berat do t’i jepte asaj 1 mandat dhe kështu ankimoi vendimin për të miratuar rezultatin zgjedhor të 25 prillit të dalë nga rinumërimi i 114 kutive të votimit.
Por Kolegji Zgjedhor vulosi dje rezultatin e Qarkut të Beratit për zgjedhjet e 25 prillit, ku mandatet u ndanë 5 Partia Socialiste, 2 Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk arriti të merrte asnjë mandat edhe pas rinumërimit të votave. LSI edhe pas vendimit ka vijuar me akuzat se zgjedhjet në Qarkun e Beratit janë vjedhur prandaj duhen shpallur të pavlefshme. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari me anë të një postimi në rrjetin e tij social “Facebook” u shpreh se rrëzimi i kërkesave të opozitës për të marrë prova shtesë nga institucionet tregon qartë se zgjedhjet janë masakër elektorale. Sipas Braimllarit vota e qytetarëve është tjetërsuar nga blerja, ndërhyrja e numëruesve të Partisë Socialiste si dhe fakti që kishte më shumë fletë votimi në kuti sesa numër zgjedhësish.
Reagimi i Braimllarit:
“Masakra zgjedhore e 25 prillit është vërtetuar dhe shumë e qartë për të gjithë. Rrëzimi i kërkesave të opozitës për të marrë prova shtesë nga institucionet e rilindjes e vërteton këtë. Tjetërsimi i vullnetit të qytetarëve ishte një proces që nisi para 25 prillit, u ekzekutua më 25 prill dhe vazhdoi hapur në sy të gjithë qytetarëve në KAS. Tjetërsimi i vullnetit nëpërmjet blerjes së votës, shkatërrimi i procesit ditën e zgjedhjeve, ku kemi shtetas që votojnë disa herë, më shumë fletë votimi në kuti sesa numri i zgjedhësve, ndërhyrja e numëruesve të rilindjes me stilolaps duke shënuar vota për PS apo nxjerrë fletë votimi të pavlefshme janë një kambanë alarmi sesi zgjedhjet u shkatërruan dhe u tjetërsua vullneti i qytetarëve më 25 prill”, tha Braimllari.







Diskutime rreth kësaj post