Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka deklaruar në një intervistë se ndërhyrja në 10 ligje të Reformës në Drejtësi do jetë e përkohshme deri në plotësimin e kuorumit të Gjykatës së Lartë.
Ajo është shprehur se këto ndryshime kanë ardhur si pasojë e ngërçeve dhe vonesave të vazhdueshme të cilat do t’i japin një zgjidhje shumë të shpejtë vakancave në “Kushtetuese”.
Deklarata e Gjonaj:
“Në radhë të parë, dua t’ju them që këto janë ndryshime që kanë kohë që diskutohen dhe përgatiten. Ministria e Drejtësisë, së bashku me aktorët e drejtësisë dhe partnerët ndërkombëtarë kanë arritur të përgatisin një analizë të reformës në drejtësi dhe nga ana tjetër kemi përgatitur të gjithë së bashku një paketë me propozime të disa ndryshimeve në paketën e ligjeve të reformës në drejtësi, e cila ka si qëllim kryesor: të mos cenohen parimet dhe standardet që kjo reformë ka vendosur, që me miratimin e ndryshimeve kushtetuese në vitin 2016. Këto ndryshime kanë ardhur si pasojë e ngërçeve dhe vonesave që janë shkaktuar në mënyrë të vazhdueshme që nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese dhe i ligjeve më pas që lidhen me plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Duke mbajtur në konsideratë numrin e ulët të gjyqtarëve dhe prokuroreve që sot janë në sistem, janë kryer edhe disa ndryshime me propozimet e reja që sjellin mundësinë që qytetarët shqiptarë të kenë mundësinë që proceset gjyqësore të zhvillohen në një kohë të shpejtë dhe të shkurtër…Dua të kujtojë që kjo është një ndërhyrje provizore, e përkohshme, deri sa të plotësohet kuorumi i Gjykatës së Lartë, duke parashikuar këtë si një procedurë, me qëllim që të arrihet plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Ne jemi të bindur se kjo do t’i japë një zgjidhje shumë të shpejtë vakancave në Gjykatë Kushtetuese” u shpreh ministrja e drejtësisë.
Diskutime rreth kësaj post