Kreu i LZHK, Dashamir Shehi i ka cilësuar si të drejta deklaratat e Jozefina Topallit se vendit nuk i duhet rotacion politik, por një ndryshim rrënjësor.
“Jam dakord me Topallin kur thotë se nuk kemi nevojë thjesht për rotacion, por kemi nevojë për një përmbysje të madhe”, shprehet Dashamir Shehi.
Por për të arritur ndryshimin, sipas aleatit të Bashës nevojitet kontributi edhe i Jozefina Topallit. Pavarësisht kritikave të saj për opozitën jashtëparlamentare dhe qëndrimit se nuk do të rikthehet në Partinë Demokratike përsa kohë Lulzim Basha të jetë kryetar, Shehi shpreson në një rikthim të Topallit.
“Për mua është e mirëpritur përtej ideve që i shpreh me një pathos të madh, por unë gjykoj që Shqipëria ka nevojë për bijtë e bijat e veta ku hyn edhe Jozefina”
Ajo që e sheh të pavend në deklaratat e ish ligjvënëses demokrate, për Dashamir Shehin janë kritikat për udhëheqësin e opozitës ekstraparlamentare, Lulzim Bashën. Shehi e mirëpret thirrjen e ambasadores Kim se të gjitha partitë politike duhet t’i përfshijnë në një vetting të brendshëm kandidatët e tyre, por ka edhe një sugjerim për të.
“Ambasadës amerikane i them shumë faleminderit, që ndihmon dhe kontribuon, por duhet të ketë parasysh tezën bazë që krimi është me qeverinë, minimalisht në 90 përqind të rasteve ndaj duhet të vazhdojë të survejojë t’i drejtojë gishtin, ti tregojë dhëmbët qeverisë”, i sugjeron kreu i LZHK shefes së diplomacisë amerikane.
Shehi pranon se edhe ndaj tij ka patur oferta për të lënë aleancën me Lulzim bashën, por thotë se ata që kanë marrë përsipër të bëjnë ndryshimin, duhet ta bëjnë me ndershmëri dhe jo nëpërmjet pazareve.
Diskutime rreth kësaj post