Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zhvilluar sot disa takime me banorë që janë prekur nga përmbytjet e ditëve të fundit, si pasojë e motit të keq që përfshiu vendin tonë.
Kryemadhi ka akuzuar qeverinë se kjo situatë ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit dhe mosfunksionimi i shtetit.
“Unë kam qenë në Lezhë në mëngjes, isha në Laç te një fermer dhe kudo e njëjta histori, ku gjithsecili thotë që nuk është problemi i përmbytjes nga reshjet, por se po përmbyten nga shkarkimet. Mungesa e funksionimit, e menaxhimit, e përgatitjes në fund të fund shteti përse është? Shteti përgjigjet qoftë edhe për një qytetar të vetëm. Ti mund të kesh pak banorë dhe nga ana financiare ndoshta ty s’të leverdis, por Lumin e Bunës do ta pastrosh, argjinaturat do t’i mirëmbash, sepse ti nëse nuk paguan dritat këtu, ai të vjen me vrap dhe të thotë: Pse s’e pagove? Edhe pse je një person dhe harxhon shumë pak”, tha Kryemadhi.
Gjithashtu Kryemadhi ka risjellë edhe njëherë në vëmendje darkën e përfaqësuesve të qeverisë në Dubai, për të cilën Rama tha se ishte paguar nga vendi pritës.
“Ne jemi shumë dakord që shteti me taksa mbahet, por kur shteti taksat tona i përdor për të ngrënë dhe për të pirë rrugëve të botës ministrat, normal që s’kam pse të paguaj taksa. Unë nuk mund të them që mes një pensionisti me një pension social që është vetëm 70 mijë lek të vjetra, çfarë do të bëjë më parë ai? A do paguajë dritat? A do paguajë ujin? A do ushqehet? Kur ti ke minimumin e ndërgjegjes që një familje në fshat me 70 mijë lek të vjetra do paguajë dritat, ujin, ilaçet, do paguajë taksën e tokës që është e përmbytur. Ne e dimë që gjërat nuk ndryshohen me një të rënë të lapsit”, shtoi Kryemadhi.
Sipas saj problemi është zbatimi i ligjit me dy standarde.
“Edhe ne si politikë kemi fajet tona, se me thënë të drejtën edhe ne kur vijmë këtu tek ju, e kemi një lloj peshë barre mbi supe, se s’mund të themi që ne nuk jemi fajtorë. Sepse nëse kjo situatë vjen sot deri këtu, përse vjen? Edhe për shkak të një lloj po themi neglizhence nga ana jonë, për hir të një stabiliteti, sikurse e thatë edhe ju. (…)Problemi pra është zbatimi i ligjit me dy standarde. Qytetarin ti e merr dhe e plas brenda në birucë, ndërsa atë tjetrin që është i lidhur me ty e lejon të vjedhë. A ka mundësi për të ndryshuar? Sigurisht që po, ka mundësi pa fund. E rëndësishme është ta kuptosh dhe mos të bësh më gabim. Edhe unë kam bërë gabime. A ka mundësi ta përmirësoj? Po kam mundësi ta përmirësoj, për t’iu dhënë shansin dhe mundësinë të rinjve dhe të rejave për t’u dhënë shansin të drejtojnë. Ju thatë që kam ngelur me gruan në shtëpi se fëmijët më kanë ikur në emigracion. Po nuk ka gjë më të keqe. Unë jam nënë vetë dhe e di ç’do të thotë kjo gjë”, përfundoi Kryemadhi.
Diskutime rreth kësaj post