Politiko.al publikoi dje një shkrim ku trajtoheshin skenarët e mundshëm të opozitës për zgjedhjet në bashkinë e Tiranës, për vitin 2019-të. Synimi i shkrimit ishte skicimi i një harte opsionesh të opozitës në përballjen me Erion Veliajn, kryebashkiakun aktual të Tiranës.
Pas një konsulte të përbashkët të redaktorëve të Politiko, u përpilua një listë me gjashtë emra konkretë, një kandidat të mundshëm nga shoqëria civile (Artan Fuga ose Fatos Lubonja) dhe një ‘team candidate’ që do të thotë, përcaktimi i një pesëshe kandidatësh, ku përfshihet kryetari dhe nënkryetarët e Bashkisë.
Dashamir Shehi, Jorida Tabaku, Gert Bogdani, Ylli Manjani dhe Monika Kryemadhi ishin kandidatët e listuar në shkrim, për të cilët ne hapem edhe një ‘sondazh modest’ në faqen tonë të ‘Facebook’, ku qytetarëve iu kërkua të zgjidhnin të preferuarin e tyre.
Deri në publikimin e këtij shkrimi ishin bërë 105 komente dhe gara zhvillohej vetëm midis dy kandidatëve: Dashamir Shehit dhe Jorida Tabakut.
36 komente ishin bërë në favor të kreut të LZHK-së dhe 35 në favor të deputetes së PD-së.
Te Dash Shehi qytetarët vlerësojnë kryesisht eksperiencën e tij të gjatë në politikë dhe faktin se nuk është akuzuar asnjëherë për korrupsion, një rekord për një politikan jetëgjatë në Shqipëri. Pavarësia në vendimmarrje është një tjetër faktor që i ka shtuar pikë “Dajës”.
Sa i përket Jordia Tabakut, çka e favorizon atë në sytë e qytetarëve të Tiranës është eksperienca e saj si nënkryetare e bashkisë, mosha e re, figura e pastër dhe fakti që banorët e kryeqytetit nuk kanë patur asnjëherë mundësinë të votojnë për një grua.
Nga kandidatët e tjerë, Ylli Manjani ndjek Dash Shehin dhe Jordia Tabakun si figura më komentuar në faqen e Politikos, ndërsa Monika Kryemadhi dhe Gert Bogdani ndajnë vota të barabarta.
Një kandidat nga shoqëria civile (ne i orientuam komentuesit drejt figurës së Artan Fugës dhe Fatos Lubonjës) duket se nuk tërheq interes të lartë për momentin, por kjo ndikohet nga fakti se të parët që janë të prirur të komentojnë janë kryesisht mbështetës të partive politike, të cilët preferojnë një kandidat të tyrin në garën më të rëndësishme të zgjedhjeve lokale.
Të gjithë skenarët e opozitës për Bashkinë e Tiranës: kandidati i partisë, ‘dorëzimi’ te LSI dhe ‘5 yjet’
Diskutime rreth kësaj post