Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, zhvilloi dje një takim më demokratët e Korçës. Gjatë fjalës së tij, ai foli sa u përket zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike për kryetarin e ri. Kadilli ia atribuoi vetes së tij meritën për garën brenda kësaj partie. Nga takimi me demokratët, Kadilli theksoi se ditën kur ai shpalli kandidaturën e tij, ishte e pamundur të mendohej për garë, ndërsa sot janë katër kandidatë në garë.
“Në fund të këtij procesi Partia Demokratike do dali më e fortë, unë e arrita me projektin tim një fitore, arrita që Partia Demokratike të ketë garë, kur unë dola atë ditë ishte e pamundur të besohej se do kishim një garë, sot mburremi që kemi 4 kandidatë, këtë e bëri projekti im, i njeriut që kur bie gjen forcën për t’u ngritur”, tha ai.
Ndër të tjera, Kadilli u shpreh se gara brenda PD sipas tij, nisi e pabarabartë. Ai akuzoi Bashën se sipas tij, është njeri që zbukuron dështimet e tij dhe duke zmadhuar hilet e kundërshtarit.
“Gara nisi e pabarabartë, asimetrike sepse kryetari në zyrë i ka të gjitha mjetet për të bërë fushatë për t’u imponuar, po është asimetrike dhe në aspektin moral dhe unë kam epërsi morale sepse i kam thënë gjërat në kohën e duhur dhe që sot marr përgjegjësi për të ngritur PD. Lulzim Basha humbi, zgjedhjet nuk ishin aspak të barabarta, as të ndershme, i quajmë sot masakër, nesër do ta gjuajmë gjenocid zgjedhor, kë do të impresionojë Basha? Apo do të zbukurojë humbjen? Ai humbi, të largohet t’i japi frymë partisë, ka 8 vite që formulon të njëjtin fjalim, po humbi në 2025 të njëjtin fjalim do dëgjoni. Njeri që fshihet pas gjysmë të vërtetash duke zmadhuar hilet e kundërshtarit dhe duke zbukuruar dështimet e veta”, shtoi ai.
Sakaq, Kadilli u shpreh se motoja e tij si kandidat për kryetar i Partisë Demokratike është që të marrësh përgjegjësi dhe të behësh kryetar i vetes fillimisht. Ai theksoi, se Partisë Demokratike i duhet një lider i tillë.
“Motoja ime është e thjeshtë, bëhu kryetar i vetes tënde mos prit të bësh karrierë nga kryetari në Tiranë, bëj vetë karrierë, merr përgjegjësi. Kjo i duhet partisë për ta kthyer në një parti më të madhe se kryetari, më e madhe se vetvetja, që frymëzon dhe që është e vërtetë”, tha ai.







Diskutime rreth kësaj post