Kryetarja e partisë “Lëvizja për Ndryshim”, Jozefina Topalli, ka dhënë dje alarmin sa i takon rritjes së nivelit të borxhit publik. Përmes një statusi në rrjetet sociale ajo deklaroi sot se borxhi publik po kthehet në një rrezik edhe më të madh se pandemia.
Topalli tha se buxheti i shtetit i 2021 ka kaluar pa zhurmë, kur në fakt ai përbën një alarm. “Mina me sahat mbetet borxhi publik. Është pranuar që ai u rrit këtë vit dhe zyrtarisht ka arritur në 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Duke përfshirë dhe detyrimet e prapambetur dhe detyrimet jashtë bilancit të PPP-ve, borxhi real pritet të kalojë 90% të PBB-së, duke arritur në nivele të paqëndrueshme, duke u kthyer në një rrezik edhe më të madh se pandemia, në momentin që kjo e fundit, me shpresë, do të mbarojë dhe vendi do të përqendrohet te rimëkëmbja”, shprehet Topalli.
Duke iu referuar analistëve të ekonomisë, Topalli deklaroi se paradoksi tjetër është që angazhimi kontraktual me koncesionet i lë më pak hapësirë buxhetit që të përdorë paratë e taksapaguesve në emergjencën e krijuar nga Covid-19.
“Në projektbuxhetin e vitit 2021, fondi në dispozicion për 13 kontrata koncesionare aktive, sipas parashikimeve në relacionin e projektbuxhetit 2021 është 14.5 miliardë lekë (gati 120 mln euro), me rritje 42% në krahasim me 2020-n. Gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se në pjesën më të madhe, në këto kontrata, risku financiar është marrë përsipër nga shteti (vlera e disa prej tyre vijon të rritet çdo vit), ndërsa raporti kosto-përfitime nuk po anon nga taksapaguesit”, – shprehet ajo.
Sipas Topallit, mungesa e transparencës për rindërtimin është një tjetër element. “Buxheti parashikon një fond për rindërtimin prej 28 miliardë lekësh (rreth 230 milionë euro), por në tabelat dhe relacionin e tij nuk është bërë asnjë parashikim i detajuar, për mënyrën se si do të shpenzohen fondet. Pabarazia dhe pasiguria janë binomi i trishtimit dhe i ikjes nga ky vend. As nuk ka shpresë, as nuk ka më perspektivë nëse nuk largojmë Edi Ramën dhe ata që e mbajnë në qeveri për interesat e tyre financiare! Buxheti parashikon një fond për rindërtimin prej 28 miliardë lekësh (rreth 230 milionë euro), por në tabelat dhe relacionin e tij nuk është bërë asnjë parashikim i detajuar, për mënyrën se si do të shpenzohen fondet”, tha ajo.
Diskutime rreth kësaj post