Askush nuk e priste, aq më pak nga ajo. Prej vitesh tashmë mediat shqiptare janë mësuar me një steriotip. Atë të Edi Ramës në aleancë me oligarkët dhe të PD që këtë temë e ka tabu. Sepse as opozita nuk guxon të flasë për ata që e kanë financuar dje dhe që mund ta financojnë nesër.
I gjithë ky paragjykim simbolizohej edhe nga disa pamje filmike të parlamentit, të shndërruara nga më të parat e rrjetit, kur Edi Rama i drejtohej Lulzim Bashës duke i përmendur emrat e klientëve të tij dhe ky i fundit ulte kokën pa bzajtur asnjë fjalë.
Kjo ulje koke qe stampa e PD dhe e burrave me namuz të saj.
Për ta thyer këtë u desh një grua. Pikërisht ajo që nuk pritej, Jorida Tabaku. Ajo u bë e para që hartoi një listë publike me klientët e Ramës, e që për më tepër i vulosi si oligarkë.
Çudia qe e dyfishtë.
Së pari sepse shumëkush është mësuar ta shikojë Joridën si një femër fraxhile, larg atyre që ngrenë zërin në sallën e kuvendit dhe aq më pak me profilin e një Zhan D’Arke që po përgatit revolucionin e nesërm.
Imazhi i saj për shumëkënd është krejt i kundërt.
Kohet e fundit shtypi rozë e ka shpallur si një nga ikonat e stilit në parlament. Një portal aspak miqësor me të djathtët, “Tirana Post”, e cilësonte si një nga gratë më elegante të parlamentit, e cila “kujdeset shumë për pamjen e saj të jashtme, flokët, make-upin dhe veshjen”.
Të tjerë ndërkohë e kanë vizatuar me ngjyrat e një gruaje që më parë se të lexojë lajmet në gazetat e mëngjesit, nxiton të bëjë gati për ditën e re dy binjaket e saj të vogla Iris dhe Abara. Madje ajo as nuk heziton ta kundërshtojë këtë. Në një intervistë në Wake Up në Top Channel, ajo e përforcoi idenë e një nëne gati shtëpiake, të cilës ndryshe nga të tjerat, sforcoja e kujdesit të fëmijëve i shumëzohet me dy.
Edhe po të kërkosh në google me emrin e saj, ndryshe nga shumë deputetë të tjerë, përkrah do të dalin terma të tilla si “fashioniste”, “mama e dy vajzave”, “foto me binjaket”.
Por në fakt, larg imazhit të përçuar nga mediat, qëndron edhe një grua tjetër, që më shumë sesa për përleshjet me batuta, është evidentuar në kuvend për përballjet me fakte, që më shumë sesa për zaptimin e foltores, është shquar për denoncime të forta si ato për aferën e inceneratorëve, koncesioneve në mjekësi dhe së fundi për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.
Pikërisht kjo “Joridë e dytë”, ishte ajo që theu dy ditë më parë tabunë e përmendjes së oligarkëve me emër, madje dhe të disave prej tyre që njihen për lidhje të forta me PD-në e djeshme.
Si duhet shpjeguar ky fakt? Çfarë e bën Jorida Tabakun të ndryshme?
Përgjigjja e parë që të thonë është se ajo së shpejti do të duhet të kandidojë përballë Erion Velisë në Tiranë.
Megjithëse ajo ende nuk e ka ndryshuar versionin që i ka dhënë në një intervistë revistës “Bordo”, pra se “…në PD ka të tjera figura më të konsoliduara për Tiranën”, emri i saj po përmendet gjithnjë e më shpesh.
Dhe kjo është një mundësi që ta ketë shtyrë atë të bëjë këtë kapërcim, që nuk pati guxuar ta bëte asnjë nga kolegët e saj, përfshirë edhe kryetarin e partisë.
Por, përpos kësaj llogarie taktike, mund të ketë edhe një arsye tjetër se përse Jorida Tabaku “guxoi” ta hedhë këtë hap. Ndoshta ndryshe nga shumë kolegë të saj, ajo nuk është as peng dhe as e kapur nga lidhje okulte. Ajo është nga të paktat figura në PD, që megjithëse ka mbajtur poste shtetërore, edhe si zv Ministre e Integrimit edhe më pas si nënkryetare e bashkisë së Tiranës, nuk ka pasur mbi vete akuza për korrupsion.
Në një kërkim në rrjet me emrin e saj, skeda del pothuajse e virgjër. Edhe kundërshtarët socialistë, ata që sipas traditës tonë politike s’lenë kënd pa përmendur, pothuajse nuk e kanë akuzuar Jorida Tabakun në këtë drejtim.
Ndoshta për këtë, ajo, gruaja e butë që nuk di të çirret dhe nuk afishohet në barrikadat e luftës fizike, i sfidoi të gjithë kolegët e saj, duke hedhur një hap që askush nuk kishte tentuar ta bënte më parë. Sepse në profesionin që ajo ka zgjedhur, ndoshta më shumë sesa gafurja mashkullore dhe trimëria e shtirur, vlen forca e pastërtisë.
Diskutime rreth kësaj post