Deputeti Halit Valteri i cili i është bashkuar listës së PS për zgjedhjet e 25 prillit dhe kandidon në qarkun e Tiranës,, tregoi sot nga foltorja e Kuvendit se gjatë fushatës së tij ka parë që fshatrat janë harruar nga shteti.
Sipas tij duhet vënë dorë mbi zonën rurale, pasi edhe qyteti vetë rrezikon të bjerë në kaos për shkak se nuk ka lidhje tregtare me këtë zonë.
Valteri i cili dikur ishte pjesë e PD, më pas pranoi mos djegë mandatin për të vijuar në parlament, ndërsa tani është kandidat me PS thotë se është politikan që të vërtetën ta thotë në sy.
”Gjallërimi i jetës ekonomike në zonat rurale është metoda më e suksesshme për të jetuar. Shtëpinë e mban toka, puna, kultura, gjëja e gjallë, shërbimet etj. Ndërtimi pa ekonomi bujqësore si ngrihet ashtu dhe vjetrohet brenda brezit. Kam vizituar dhjetëra fshatra të Tiranës, dhe fusha të lënë djerrë. Pavarësisht vullnetit të tyre, bujku shqiptar është lënë në mëshirë të fatit. Qeveritë shqiptare nuk kanë mësuar asnjëherë të thithë fonde nga Brukseli.
Duhet theksuar se ekonomia rurale mbetet në këmbë vetëm nëse harmonizohet më sektorët e tjerë. Në asnjë fshat nuk lexova që këtu mund të blesh. Bujku është kthyer në skllav, të atij që ia mbledh produktet për një copë bukë. Në fshatrat e Tiranës duket sikur nuk jetohet dot. Një bujqësi e blegtori që nuk e përballon dot konkurrencën. Shqiptari asgjë nuk eksporton, vetëm importon.
Ky është realiteti. Dhe është realitet shumë i hidhur. Duhet të vëmë dorën mbi të. Mungon një detaj i vogël, izolimi i qytetarëve. Një qytet i mbyllur në vetvete, pa zonën rurale, rrezikohet nga kaosi. Këto fate e pësojnë shumë fshatra të Tiranës. Kam vënë re disa fshatra që janë përjashtuar nga tregjet e krijuara nga qeveritë e kaluara. Shpresoj të krijojmë një qytet që të krijojë lidhje tregtare me zonat rurale.
Të hapet një treg ku mundi dhe djersa të shpërblehet. Qindra miliona euro kanë ardhur në formë grantesh nga BE që t’i lehtësohet puna fermerëve. Jam nga ata politikanë që ia them të vërtetën në sy çdokujt që i bëjnë nder. Shihni gjithë rrjetin ku shpërndahen paratë. Çoni grupe inspektimi tek tregu agroushqimor, si sillen me fermerët e Tiranës. Po i hynë në hak fermerëve që rrobëtohen për copën e bukës së fëmijëve të tyre.” – tha Valteri.
Diskutime rreth kësaj post