Presidenti Ilir Meta ka deklaruar sot se mesazhi i 25 prillit do të jetë një mesazh historik. Kreu i Shtetit tha në televizionin lokal në Pogradec se qytetarët duhet të marrin në dorë fatet e vendit dhe zgjedhjet të sjellin përmbysje demokratike.
Ai ka përsëritur deklaratën e bërë dy ditë më parë në Shkodër “Mjerë kush i del para trenit të integrimit në 25 prill”.
“Të gjithë jemi të pakënaqur me nivelin e integrimit të vendit tonë. U bënë 30 vite dhe shikojmë një bilanc tepër negativ në shumë aspekte. Serbia dhe Mali i Zi janë shumë përpara Shqipërisë.Ata, i kanë çelur negociatat, ndërsa ne do i çelim pas zgjedhjeve të 25 prillit, se ato janë kryekushti i Bashkimit Europian. Çfarë mund të themi më shumë… Për të mos folur për ritmin dramatik të shpopullimit të Shqipërisë, kam frikë dhe të Pogradecit dhe gjithë Qarkut të Korçës, ku shifrat janë të frikshme.
Nuk bëhet fjalë për largime, por për shpopullim. Në rast se nga Serbia ikën 1 serb për 1000 mijë banor, këtu ikin 12 shqiptarë. Nëse nga Bosnja largohet 1 nga Shqipëria largohen 18. Në rast se nga Kosova largohet 1 nga Shqipëria largohen 4.
Ndërkohë, jemi gati 110 vite shtet, jemi anëtar të NATO-s, nuk kemi asnjë problem të pazgjidhur me vendet fqinje, siç është rasti i Kosovës nga Serbia.
Kemi gjithë këtë det, kemi gjithë këtë potencial dhe të rinjtë ikin nga sytë këmbët. Pra, jemi aq mbrapa sa s’kemi ku të shkojmë më mbrapa se kaq dhe duhet të fitojmë çdo sekondë. E kam thënë jo deri në 25 prilli, por edhe pas 25 prillit”, tha Presidenti Meta.
Ai theksoi më tej se është mungesa e vullnetit politik për të bërë reformat e kërkuara, për të plotësuar kushtet të cilat dihen prej kohësh.
“Zgjedhjet duhet të sjellin një përmbysje demokratike. Populli të marrë në dorë fuqinë e tij, me votën e tij, ndaj të gjithëve, ndaj forcave politike, ndaj të gjithë politikanëve. Së dyti, pas kësaj duhen bërë të gjitha reformat e tjera, që ndihmojnë jo vetëm në çeljen e negociatave dhe nuk është ky i vetmi qëllim.
Por, këto na ndihmojnë që vendi ynë të zhvillohet me ritme të shpejta, dhe të rinjtë të qëndrojnë dhe ta shikojnë të ardhmen këtu.
Janë kushtet e vendosura nga Bundestagu dhe u bënë shumë vite ku në krye të kushteve kanë qenë gjithmonë zgjedhjet. Zgjedhjet e manipuluara të vitit 2017, dhe hetimi i tyre si dosjet e Dibrës dhe Shijakut, që i di e gjithë bota.
Njëkohësisht, edhe problemi i zgjedhjeve lokale dhe shumë çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me mungesën e standardeve të funksionimit të shtetit të së drejtës, sipas parimeve të Bashkimit Europian. Ne, për fat të keq kemi vënë re, që kryeministri në vend që të përmbushë këto kushte prej kohësh, përpiqet gjithmonë t’i injoroj ato. Sigurisht, që kjo ndodh për shkak se ai vendos pushtetin e tij, mbi interesin kombëtar të gjithë vendit”, u shpreh Meta.
Kreu i Shtetit pati një koment për deklaratat e kryeministrit Edi Rama për ndërkombëtarët.
“Kjo është një gjuhë, e cila nuk duhet të na habis. Por, është një gjuhë e cila vjen prej kohësh në forma të tjera, njëkohësisht nga ndërkombëtarët me qëndrimet e tyre të qarta kundër rritjes së autoritarizmit në këtë vend dhe të deformimit të parimeve të një shteti demokratik. Natyrisht, e gjithë retorika e kryeministrit është një shfajësim për dështimet e tij. Nuk është gjuha e kryeministrit ajo që ka dëmtuar Shqipërinë, por janë pasojat e qeverisjes së tij që, e kanë dëmtuar atë.
Sepse, mjafton të shikojmë statistikat e Bashkimit Europian, për largimin e të rinjve nga Ballkani Perëndimor, vërejmë se 60% e të gjithë të larguarve që kërkojnë azil të të rinjve, janë nga Shqipëria dhe 40% janë nga vendet e tjera, Serbia, Bosnja, Mal i Zi, Kosovë”, tha Meta.
Diskutime rreth kësaj post