Komisioni Zgjedhor i Partisë Demokratike, ditën e djeshme ka zyrtarizuar fitoren e Lulzim Bashës. Kreu i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana deklaroi se Basha është fituesi pasi 32882 anëtarë kanë votuar për të. Ai tha se nga 75 mijë anëtarë të PD kanë votuar 41097 anëtarë teksa ka patur edhe 413 vota të pavlefshme.
“Komisioni Zgjedhor i PD sapo ka përmbyllur përgatitjen dhe deklarimin e rezultatit përfundimtar zyrtar. Kemi administruar 76 kutitë e 76 komisioneve të votimit në të gjithë vendin, në prani të komisionit janë hapur kutitë një nga një janë regjistruar të dhënat e dokumentuara. Nga procesverbalet rezulton që në të gjitha rastet, komisionerët natyrisht kanë firmosur dhe përfaqësuesit e kandidatëve në garë në të gjitha ato raste kur kandidatët kanë pasur përfaqësi. Bazuar në të dhëna zyrtare të 76 procesverbaleve rezulton se nga 75 mijë anëtare të PD, kanë votuar 41097 anëtarë. 413 vota të pavlefshme, të vlefshme 40 mijë vota, të ndara sipas kandidatëve në garë. Për Kadillin votuan 781 anëtarë. Për Harxhin 983. Për Shehajn 6038 anëtarë. 32882 anëtarë kanë votuar Bashën”, tha ai.
Në mbrëmje Basha ju drejtua me një mesazh demokratëve. Ai i falënderoi për besimin ndërsa po ashtu kërkoi nga 3 rivalët etj në këtë zgjedhje që të bashkëpunojnë. “Mirënjohja ime shkon edhe për tre kandidatët e tjerë, të cilët e bënë këtë garë të vërtetë, sfiduese dhe dinamike. Për secilin prej tyre kam një mesazh: Ne kemi mendime të ndryshme por parime të njëjta, prandaj jam i bindur se përtej diferencave, nga sot energjitë dhe përpjekjet tona do të shkojnë në drejtim të kundërshtarit të vetëm të Partisë Demokratike, dhe të shumicës dërmuese të shqiptarëve, regjimit Rama-Doshi”, tha Basha.
Diskutime rreth kësaj post