Tre përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike u shfaqën sot në konferencë për shtyp. Fillimisht ishte deputeti Enkelejd Alibeaj, më pas Jorida Tabaku dhe së fundmi këshilltari ligjor i PD-së, Gazment Bardhi.
Por asnjë prej këtyre tre konferencave të selisë blu nuk u pasqyrua nga Top Channel. Në një deklaratë për mediat mbrëmjen e sotme, Partia Demokratike kritikonte Top Channel duke i kujtuar se kjo linjë editoriale bie në kundërshtim me parimet kryesore të gazetarisë për informimin e pavarur të publikut, si dhe me ligjet në fuqi për operatorët televizivë.
Por pse Top Channel bojkotoi sot aktivitetet e PD-së?
Së bashku me reagimin për mediat, selia blu shpërndau edhe një foto, të pak kohëve më parë, të një takimi mes Drejtorit të Përgjithshëm të Top Channel, Ben Blushi me gjyqtarin Ardian Dvorani. Pas publikimit të fotove të këtij takimi, gjyqtari dha dorëheqjen nga gjyqi i Top Channel ku ai ishte anëtar.
Ardian Dvorani u konfirmua sot në detyrë pas procesit të vettingut por prej disa ditësh ai ka qenë në qendër të kritikave të opozitës. PD e ka cilësuar Dvoranin si njeriun e Ramës në Gjykatën e lartë i cili e kaloi vettingun pavarësisht shkeljeve dhe problemeve me pasurinë që ju evidentuan.
Edhe konferenca për mediat sot e deputetit Alibeaj i referohej pikërisht konfirmimit në detyrë të Dvoranit.
Duket se pikërisht akuzat e PD-së ndaj gjyqtarit, i cili pak kohë më parë u shfaq në një nga kafet e kryeqytetit me Drejtorin e Përgjithshëm të Top Channel, është shkaku që televizioni ka vendosur të mos transmetojë asnjë prej aktiviteteve të Partisë Demokratike ditën e sotme.
Diskutime rreth kësaj post