Nga Mero Baze
Lulzim Basha ka filluar të shpjegojë arsyet përse bëri marrëveshjen me Edi Ramën, duke e justifikuar me presionin Perëndimor kundër tij. Ka pranuar në takimet publike me PD, se ka refuzuar tre ultimatume europiane dhe është dorëzuar tek ultimatumi amerikan. Arsyeja e dorëzimit, sipas tij, është se Perëndimi i dha leje Edi Ramës të hyjë në zgjedhje pa opozitën dhe kjo do të ishte katastrofë.
Të shpjeguarit e historisë politike të një lideri ende në detyrë, me këtë fjalor, e bën atë jo serioz, për të mos thënë qesharak.
E bën jo serioz, pasi ai u fsheh demokratëve thelbin e problemit. Thelbi i problemit nuk ishin ultimatumet europiane dhe amerikane pro Edi Ramës, por kauza artificiale e çadrës. Europa dhe SHBA nuk janë miqtë e Edi Ramës, por janë institucione serioze, që duan ta kenë Shqipërinë pjesë të tyre dhe kanë aq aftësi, sa t’i perceptojnë zhvillimet në Shqipëri. Ata thjesht ishin të bindur se kauza e çadrës ishte fallco dhe ofruan një marrëveshje për ta nxjerrë nga rruga e gabuar ku kishte hyrë Lulzim Basha, dhe jo për ta shantazhuar në favor të Edi Ramës.
Paraqitja si “viktimë”e Perëndimit, jo vetëm që nuk i bën nder të vërtetës dhe historisë së Lulzim Bashës, por është dhe e gabuar në dëmin afatgjatë që i bën PD-së, duke e paraqitur atë si parti anti-Perëndimore.
Perëndimi nuk ishte kundër PD, por kundër asaj që po i bënte Lulzim Basha PD-së, duke e mbajtur jashtë zgjedhjeve nga frikërat e tij të brendshme që po vertetohen përditë. Madje, ai ishte gjesti më pro PD që ka bërë Perëndimi ndonjëherë, pasi për të shpëtuar PD-në, i ka dhënë ultimatum Bashës, “ose hyr në zgjedhje, ose do marrësh përgjegjësi”. Partia Demokratike duhet ta arkivojë këtë si gjest të Perëndimit pro saj, dhe si presion për aktin e papërgjegjshëm të Lulzim Bashës, që tentoi ta eleminojë PD-në, duke e nxjerrë jashtë zgjedhjeve. Kjo nuk është një histori konspirative e Perëndimit kundër Lulzim Bashës, por një dështim i Lulzim Bashës përballë Perëndimit, duke mos e mashtruar dot.
Më vjen mirë që Eduard Selami është i vetmi lider i PD, që e ka përkufizuar çadrën si një marrëzi që donte të linte PD-në jashtë zgjedhjeve. Kjo duhet thënë pa komplekse, pasi i bën nder PD-së dhe historisë së saj.
Fakti që Edi Rama ia arriti të nxjerrë Bashën nga çadra përmes një pazari vulgar, ku përzihen garancitë që i ka dhënë për të bërë eleminime në PD, garancitë financiare të fushatës përmes teknikëve që futën duart në buxhet dhe garancitë e pas-fushatës për humbjen, tregon se realisht Basha bëri sikur ju bind Perëndimit, por në fakt ju bind pazarit.
Ai nuk u ndje i kërcënuar nga Perëndimi, por u ndje i sigurt nga Edi Rama, i cili i ofroi atij më shumë se ai mendonte se do të fitonte, po të hynte PD në zgjedhje.
Me mbajtjen e PD jashtë zgjedhjeve, Basha donte të eleminonte kundërshtarët politikë, të radikalizonte PD dhe t’i shpëtonte humbjeve financiare, të një fushate të shtrenjtë. Edi Rama ia plotësoi të gjitha. E frymëzoi si të eleminonte kundërshtarët, ranë dakord të mos harxhojnë asnjë lek për fushatë, duke lënë spote falas, duke ndaluar billborderat dhe duke shmangur fushatën e dekorit, dhe duke i dhënë garanci se do menaxhonin bashkë situatën pas-elektorale nën dritë-hijet e marrëveshjes.
Perëndimi u kënaq thjesht nga ideja që PD hyri në zgjedhje dhe mbylli sytë për thelbin e pazarit mes tyre.
Tani kur Basha i eleminoi të gjithë kundërshtarët dhe po tenton të rimarrë PD-në, si pronë private, po përpiqet të fshehë të vërtetën e hidhur, duke ngritur një teori konspirative kundër Perëndimit, me shpresë se demokratët do ta mëshirojnë për këtë. I gënjeu një herë si pro-amerikan me një foto të blerë me Trump-in. S’ka pse i gënjen tani si viktimë e Trump-it.
Diskutime rreth kësaj post