Gjermania do t’i njohë zgjedhjet e 18 qershorit edhe nëse Partia Demokratike nuk merr pjesë në to. Kjo u bë e ditur të martën nga ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz, e cila deklaroi se qeveria e saj do t’i njohë zgjedhjet e 18 Qershorit, edhe nëse në to nuk do të marrë pjesë Partia Demokratike.
“Ne shpresojmë shumë që procesi zgjedhor të mund të zhvillohet në momentin kohor të dekretuar nga Presidenti i Republikës. Shpresojmë që në këtë proces zgjedhor të mund të marrin pjesë sa më shumë parti politike që të jetë e mundur. Nëse Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare vazhdojnë të mbeten në qëndrimin e tyre për të mos marrë pjesë në procesin zgjedhor ky është një vendim i trishtuar për ne, por ne do t’i njohim këto zgjedhje”, u shpreh ambasadorja Schütz, pas ceremonisë së nënshkrimit të një marrëveshje në ambjentet e ministrisë së Energjetikës.
Të njëjtin qëndrim mbajti pak ditë më parë edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili në një intervistë për “Zërin e Amerikës” u shpreh se të gjithë po punojnë që opozita të përfshihet në zgjedhje, por zgjedhjet mund të konsiderohen të ligjshme dhe legjitime, theksoi ai, edhe pa pjesëmarrjen e opozitës.
Diskutime rreth kësaj post